Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Trump shkarkon drejtorin e FBI-së

Trump shkarkon drejtorin e FBI-së
May 10
09:06 2017

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka shkarkuar nga detyra drejtorin e FBI-së, James Comey.

Shkarkimin e tij e kishte rekomanduar prokurori i Përgjithshëm dhe zv/prokurori i Përgjithshëm. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë tha se Comey ishte njoftuar më herët për shkarkimin e tij dhe do të largohet menjëherë nga detyra.

Ditën e martë, FBI-ja njoftoi kongresin se zoti Comey kishte paraqitur në mënyrë të pasaktë disa nga gjetjet kyçe, që përfshinin hetimet rreth email-eve të zonjës Hillary Clinton, gjatë dëshmisë së dhënë prej tij në kongres javën e kaluar.

Kështu FBI theksoi se vetëm një numër i vogël email-esh i ishte dërguar kongresmenit Anthony Winer, jo shumë, siç ishte shprehur në dëshminë e tij zoti Comey.

Letra e FBI-së iu dërgua Komisionit Juridik të Senatit të martën, më shumë se një javë pasi Comey dëshmoi për orë të tëra në mbrojtje të mënyrës se si e kishte trajtuar hetimin e email-eve të zonjës Clinton.

“Pata dy zgjidhje: ose të flisja ose të fshihja hetimin. Nëse flisja do të ishte keq për zgjedhjet që zhvilloheshin pas 11 ditësh. Nëse fshihja hetimin, do të ishte katastrofike për FBI-në dhe përtej saj. Në retrospektivë, do të merrja të njëjtin vendim sërish dhe do të informoja kongresin. Dua ta theksoj, sepse njerëzit e harrojnë, informova kongresin përmes një letre, nuk bëra asnjë lajmërim publik”,- ka thënë Comey në fjalën e tij.

Kjo dëshmi ka ardhur një ditë pasi Hillary Clinton fajin për humbjen e saj ia faturoi gjestit të drejtorit të FBI-së dhe ndërhyrjes ruse në zgjedhje. Comey u emërua drejtor i FBI-së nga presidenti Barak Obama në vitin 2013. Por tashmë ai është i pushuar.

Mijëra njerëz në rrjete sociale kanë reaguar për këtë shkarkim, duke hedhur dyshime se shkarkimi i tij ka ardhur pas hetimeve të kryera ndaj Trump për lidhje të mundshme me Rusinë, duke thënë se kjo nuk është demokracia amerikane që reklamohet kudo në botë. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje