Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Trazira në Brazil, Rousseff: Nuk na kanë mposhtur. Temer: Koha për të bashkuar vendin

September 01
14:11 2016

Trembëdhjetë vjet pas sundimit të Partisë së Punëtorëve të Dilma Rousseff, kjo e fundit është larguar menjëherë nga zyra pas shkarkimit. Me lot në sy, ajo deklaroi nga selia zyrtare se nuk ka marrë fund: “Ata mendojnë se na kanë mposhtur, por gabohen. Unë e di që të gjithë ne do të luftojmë së bashku”. Ajo u zotua se do të apelojë shkarkimin e saj, vendim që ajo u shpreh se vjen pas një grushti shteti parlamentar.

Në dy vitet dhe katër muajt e mbetur të mandatit, presidentja e parë femër do të zëvendësohet nga Michel Temer. Ai është betuar si president dhe do të shërbejë në këtë post deri më 1 janar 2017. Në fjalën e tij, menjëherë pas betimit, ai u zotua se do të punojë për të shpëtuar ekonominë e zhytur në recesion dhe do të garantojë stabilitet politik për investitorët e huaj.

Pas vendimit të senatit kundër presidentes Rousseff, udhëheqës të sindikatave të ndryshme që kishin mbështetur presidenten organizuan demonstrata në rrugët e Sao Paolo-s dhe Rio de Janeiro-s, ku nuk munguan përplasjet me policinë dhe gazi lotsjellës.

Rousseff është akuzuar për lëvizje të fondeve midis buxheteve të qeverisë, që bie ndesh me ligjin brazilian, por ajo nuk i ka pranuar këto akuza. /Blitz.al/

Etiketimet
Shperndaje