Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Totozani rekomandim prokurorisë për fillimin e hetimeve për dy punonjës policie

Totozani rekomandim prokurorisë për fillimin e hetimeve për dy punonjës policie
April 16
12:11 2016

Avokati i Popullit i ka dërguar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë një rekomandim për fillimin e hetimeve ndaj shtetasve me inicialet A.G. dhe S.D., me detyrë funksionale si ndihmës specialistë për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Nr.1 në kryeqytet. Akuza kryesore mbi këtë rekomandim është vepra penale e “Kryerjes së veprimeve arbitrare”.

Në bazë të verifikimeve të bëra nga vetë avokati në bashkëpunim me punonjës të tij,  rekomandimi është dërguar mbi bazën e tri ankesave të ardhura nga shtetas për privim të padrejtë lirie nga punonjësit e policisë në lidhje me ngjarjet e ndodhura gjatë protestave të zhvilluara për parkun e liqenit.

Aktivistë të shoqërisë civile kanë kontaktuar më 26.03.2016  Avokatin e Popullit se një anëtare e tyre me inicialet R.C.,  ishte dhunuar nga një punonjës i Bashkisë Tiranë. Avokati është takuar me shtetasen e dhunuar në ambientet e Spitalit të Traumës. Tre aktivistë kanë shkuar për të bërë denoncim pranë Komisariatit Nr.1, por kanë rënë në pranga nga efektivët e policisë pasi, sipas tyre, gjykuar nga pamjet filmike ishin pjesmarrës të dhunshëm në tubimin e paligjshëm të organizuar atë ditë. Futja në dhomën e shoqërimit përbën privim lirie dhe shkelje të të drejtave sipas kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Në përfundim të shqyrtimit të rastit, avokati i është drejtuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për  fillimin e hetimeve ndaj punonjësve të policisë së shtetit  me detyrë ndihmës specialistë, për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Nr.1 Tiranë, për veprën penale të “Kryerjes së veprimeve arbitrare”, parashikuar nga Nenet 250 dhe 25 të Kodit Penal.

Shperndaje