Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Totozani raporton: Vendorët, largime të paligjshme nga puna

Totozani raporton: Vendorët, largime të paligjshme nga puna
October 04
15:17 2016

Nga Anduena Llabani

Punonjës të trajnuar dhe të specializuar në funksionet e tyre publike janë pushuar nga puna në mënyrë të kundërligjshme, duke shkaktuar një administratë të paqëndrueshme.

Konstatimi është bërë në një raport voluminoz që Avokati i Popullit, Igli Totozani, i ka dorëzuar Kuvendit. Në detaje, ligjvënësit janë informuar mbi shkarkimet masive nga detyra.

“Procedurat e kundërligjshme të ndjekura në kundërshtim me dispozitat ligjore të ligjit për shërbimin civil, në asnjë rast nuk evidentojnë mbajtjen e përgjegjësisë individuale nga njësitë përgjegjëse, por penalizimi ka ardhur vetëm në drejtim të nëpunësve, duke i larguar në mënyrë të kundërligjshme nga puna. Kjo situatë krijon paqëndrueshmëri për administratën e pushtetit vendor, duke larguar punonjës të trajnuar dhe të specializuar në funksionet e tyre, gjë që ndikon në cilësinë e shërbimeve për qytetarët”,- është shprehur Avokati i Popullit.

Sipas shifrave të publikuara në këtë raport, bashkia e Fierit rezulton me numrin më të lartë të punonjësve të larguar.

“Në 51 bashki në vend me struktura transitore janë larguar në total 3059 punonjës, prej të cilëve: 319 janë nëpunës civil ose 11% e punonjësve e totalit të punonjësve të larguar;  2740 janë punonjës, marrëdhëniet e punës të të cilëve janë rregulluar sipas Kodit të Punës ose në total 89% e punonjësve të larguar”,- thuhet në raport./Blitz.al./

Komento
Shperndaje