Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Topalli dhe Imami kërkojnë shkarkimin e Lulzim Bashës. Takohen më pas me Patozin, Boden dhe Krujën

Topalli dhe Imami kërkojnë shkarkimin e Lulzim Bashës. Takohen më pas me Patozin, Boden dhe Krujën
May 29
13:26 2017

Në një konferencë të paralajmëruar për mediat, deputetja Jozefina Topalli dhe Arben Imami kërkuan shkarkimin e Lulzim Bashës nga kreu i Partisë Demokratike.

Të dy sulmuan hapur liderin e PD-së, ndërsa thanë se ky është një moment kritik për PD-në dhe se me drejtimin e Bashës, Rama do të sundojë për një kohë të gjatë.

“Në një moment shumë delikat dhe kritik për PD-në, për atë që njohim, kemi menduar të jemi bashkë me zotin Imami në këtë komunikim. Nga data 26 maj kjo nuk është më PD e 1990-s.
Pikërisht për shkak të kaosit që është krijuar, për bojkotin që po i bëjnë fushatës së PD-së. Me mënyrën e tij, Edi Rama do të sundojë dhe do të qëndrojë në krye të qeverisë për një kohë të gjatë. Unë nuk i di hollësitë e marrëveshjes. Kam dyshime të shumta për çfarë ka ndodhur dhe cili është projekti për të ardhmen. Preokupimi im është PD-ja”,- tha Topalli.

Topalli tha se ka qenë kundër Bashës që në kohën kur ai zbriti për herë të parë nga avioni dhe u kthye në Shqipëri, rezerva të cilat sipas saj i di edhe zoti Berisha.

“Kam qenë që ditën e parë që ditën kur zbriti nga avioni. S’e kam mbështetur asnjëherë. Kam pasur rezerva të mëdha, i kam thënë publikisht. Kam diferenca të mëdha me Lulzim Bashën. Jam në koherenca të mëdha. Duke parë ku ka qenë dhe ku është forca më e madhe. Hoqi vizat, futi vendin në NATO, ia ndryshoi vendin infrastrukturës. Do falënderoj fort zotin Berisha. Ka nevojë për pak dhembshuri për këtë vend. Nuk ecet duke menduar se do jem unë me pushtet, të mendoj për familjen time. Nuk dua asgjë, por do vazhdoj luftën kundër korrupsionit. Kundër Bashës, Ramës dhe Ilir Metës”,- shtoi Topalli.

Pas kësaj deklarate, Topalli dhe Imami janë takuar me ish-drejtues kryesorë të Partisë Demokratike, si Astrit Patozi, Ridvan Bode, Majlinda Bregu, Keltis Kruja në një nga restorantet e kryeqytetit për të diskutuar rreth shqetësimeve të përbashkëta për situatën që po kalon PD dhe opozita, pas shpalljes së listave të kandidatëve nga kreu demokrat, Lulzim Basha.

Takimi është zhvilluar te “Carslberg” dhe vjen menjëherë edhe pas një reagimi të fortë nga baza e demokratëve dhe opinioni publik në lidhje me listat personale të Lulzim Bashës dhe familjes së tij paraqitur në KQZ si përfaqësues të PD.

Mendohet se ata që mund të quhen senatorë të PD-së po diskutojnë rreth situatës dhe hapave të mëtejshëm që do të hedhin në këto momente delikate për opozitën.

 

SURPRIZON SELAMI

Ndërkohë që një lëvizje surprizë është bërë nga deputeti i PD-së Eduard Selami.

Ai ka dalë kundër deputetëve të PD-së të zhgënjyer nga kryetari Lulzim Basha. Ndonëse e kritikoi qëndrimin e kryetarit të PD-së Lulzim Basha gjatë kohës që opozita kishte ngritur çadrën para kryeministrisë, ai i ka dalë në krahë.

“Koha për fushatë, jo për analiza. Lista ka mbështetjen time. Suksese!”- shkruan Selami në Twitter.

 

/Blitz.al/

Shperndaje