Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Tirona Fanatics”, ironi me presidentin: “Keqardhje që latë botën e muzikës”

“Tirona Fanatics”, ironi me presidentin: “Keqardhje që latë botën e muzikës”
March 06
09:47 2017

Marrëdhënia e ultrasve të ekipit të Tiranës, të mbiquajturit fanatiksat, me presidentin e këtij ekipi, Refik Halili, duket se po shkon drejt përkeqësimit.

Pas bojkotit që i kanë bërë stadiumit prej disa ndeshjesh tashmë, ultrasit kanë dalë edhe me një reagim në faqen e tyre zyrtare në Facebook pas intervistës së djeshme të presidentit të klubit, Refik Halili, për emisionin “Zona Gol” në “Supersport”. Ata i kanë kujtuar edhe njëherë numrit 1 të klubit bardheblu se e keqja e Tiranës nuk vjen nga tifozët, por nga keqmenaxhimi, si dhe ia kanë bërë të qartë se nuk do t’i përçajë dot me deklaratat e tij.

Tifozët nuk kanë lënë as ironinë, duke i përmendur Halilit kohën kur është marrë me muzikë në adoleshencë.

 

POSTIMI I PLOTË

  1. Ish-president,
    Si fillim, urime për guximin e gjetur për të dalë para kamerave dhe që këtë herë nuk nxorët ndonjë pjesëtar të familjes për të folur në emrin tuaj.
    Shprehim keqardhje për keqinformimin mbi “Tirona Fanatics”, gjithmonë nëse është keqinformim. Të njëjtët njerëz që ishin dikur, janë edhe sot pjesë e këtij grupimi.
    E keni përmendur shpesh fjalën “dashakeqe”, por mbase shumë prej këtyre dashakeqëve janë veç pjellë e imagjinatës tuaj. Krijoni armiq imagjinarë për të fshehur problemet reale që Klubi i Futbollit Tirona ka. Problemi rrënjësor i klubit ka qenë dhe është keqmenaxhimi. Nuk është hera e parë që “Tirona Fanatics” proteston mbi këtë fakt. Protestat e para kanë nisur që në vitin 2009. Vazhdimisht e kemi shprehur mendimin tonë se nuk mund të ketë një klub serioz pa një administratë të mirëstrukturuar, por ju kurrë nuk e keni marrë parasysh këtë. Thoni se tifozët shkaktojnë probleme. Lutemi të na përmendni vetëm një rast kur e keqja e Tironës ka ardhur prej tifozëve.
    Njëkohësisht luani me shpresë për të krijuar përçarje mes “Fanatics”, se gjoja disa paskan qenë të mirë e disa të këqij. Por si shpjegohet që asnjë anëtar i “Fanatics” nuk është i pranishëm në stadium? Thoni se ne jemi vetëm pakica e tifozëve. Po shumica pse nuk është në stadium? Deklaroni një herë se i keni shlyer, një herë se po i shlyeni dhe një herë se do t’i shlyeni borxhet. Cila është e sakta? Shpreheni se në klub pagat jepen në mënyrë të rregullt. Fakti tregoi rastin Muzaka me shokë.
    Me keqardhje që latë botën e muzikës,
    “Tirona Fanatics”.

 

Tifozët kanë shpërndarë edhe një foto ku duket stadium plot me ultrasit, dhe stadiumi tashmë pa tifozë

Shperndaje