Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Tiranë, zbardhet motivi i ekzekutimit të 36-vjeçarit nga Tepelena

Tiranë, zbardhet motivi i ekzekutimit të 36-vjeçarit nga Tepelena
May 02
09:38 2016

Një ekzekutim me armë zjarri u shënua mbrëmjen e djeshme në lokalin “De Niro” në zonën e ish-bllokut në Tiranë. Viktima Elton Çiço ndërroi jetë teksa transportohej në spitalin e Traumës. Burime të policisë kanë bërë me dije se Çiço ka qenë ulur në lokal së bashku me një oficer policie dhe një gazetar të një televizioni kombëtar, kur një person me kapele ka hyrë brenda dhe pasi ka konfirmuar se ai ishte shënjestra e ka qëlluar dy herë me pistoletë. Më pas atentatori është larguar me shpejtësi me një makinë që e priste pak metra më tutje.

Nga hetimet paraprake dyshohet se ekzekutimi është kryer për motive hakmarrjeje. Mësohet se viktima është djali i një çifti të moshuar në Tepelenë, të cilët u grabitën më 31 mars 2015. Kanë qenë katër persona që morrën pjesë në grabitjen e asaj kohe, ngjarje që u ndoq me atentate ndaj katër grabitësve që dyshohet të jenë planifikuar nga viktima e djeshme.

Konkretisht, më 8 qershor 2015, u ekzekutua me armë zjarri shtetasi Robert Rama, pjesëmarrës në grabitje. Më 12 korrik 2015, shtetasit Ervis Imeri iu vendos tritol poshtë makinës në zonën e Kombinatit, i cili nuk shpërtheu. E njëjta skenë iu përsërit vëllait të këtij të fundit, ushtarakut Elton Imeri, i cili mbeti i plagosur rëndë si pasojë e eksplozivit të vendosur poshtë makinës.

Bëhet e ditur se viktima e ekzekutimit të djeshëm, ishte i afërm i kryebashkiakut të Tepelenës. Sipas policisë, 36-vjeçari nuk rezulton me precedentë penalë dhe as i skeduar si pjesë e botës së krimit.

Në lokalin ku ndodhi vrasja, mësohet se në një nga tavolinat ndodhej edhe një deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Bëhet fjalë për deputetin e LSI-së, Luan Rama, ish-ministër i Rendit. Ai nuk ka patur lidhje me viktimën, thjesht ka rastisur i pranishëm.

vrasesi

Komento
Etiketimet
Shperndaje