Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Tiranë, sherr me sende të forta për pronën. Mamurras, xhaxhai dhe nipi godasin njëri-tjetrin me drurë

Tiranë, sherr me sende të forta për pronën. Mamurras, xhaxhai dhe nipi godasin njëri-tjetrin me drurë
August 12
11:58 2017

Dy konflikte të forta kanë ndodhur përkatësisht në Tiranë dhe Mamurras.

Dy persona janë arrestuar nga policia në Tiranë pas një sherri ku kanë nxjerrë mjete të mprehta e kanë rrëmbyer sende të forta dhe kanë sakatuar njeri-tjetrin.

Policia njofton se shërbimet e policisë të Komisariatit Nr.1 kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasve Eduart Dushku, 41 vjeç, banues në Tiranë dhe Skënder Osma, 38 vjeç, banues në Tiranë.

“Arrestimi i këtyre shtetasve është bërë i mundur pasi në Sauk janë konfliktuar me njëri-tjetrin, për motive pronësie, ku për pasojë është dëmtuar me mjet prerës në trup, shtetasi Skënder Osma, ndërsa shtetasi Eduart Dushku është dëmtuar me sende të forta në kokë”,- njofton policia.

Të dy shtetasit e dëmtuar janë dërguar në spital, ku mësohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Materialet u referuan pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprat penale “Plagosje lehtë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga neni 89 dhe 279 i Kodit Penal.

 

MAMURRAS

 

Një sherr mes xhaxhait dhe nipit fillimisht me fyerje ka degjeneruar më pas në dhunë mes të dyve. Ngjarja ka ndodhur në Kurbin ku në sherrin që ka nisur në mes të rrugës janë përfshirë dhe familjarë të tjerë.

Policia njofton se dje ka arrestuar në flagrancë shtetasit (xhaxhai dhe nipi) Ervis Shpani, 28 vjeç, banues në Fushë Mamurras në Kurbin dhe Agustin Shpani, 50 vjeç, banues në Fushë Mamurras në Kurbin.

“Këta 2 shtetas, në një rrugë, në lagjen e Shpanve në Fushë Mamurras, për motive të dobëta, janë konfliktuar verbalisht, konflikt i cili më pas ka agravuar në dhunë fizike ndërmjet tyre”,- njofton policia.

Sipas saj, në konflikt janë përfshirë edhe familjarët e shtetasit Agustin Shpani. Vepra penale në ngarkim të 2 të arrestuarve  “Dhuna në familje” parashikuar nga neni 130/a/3 i Kodit Penal.

/Blitz.al/

Shperndaje