Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Tiranë, sekuestrohen 59 kg Canabis Sattiva

Tiranë, sekuestrohen 59 kg Canabis Sattiva
October 07
22:36 2016

Nga Anduena Llabani

Arrestohen në flagrancë dy shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë dy të tjerë.

Gjatë orëve të pasdites së sotme (07.10.2016), specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 kanë marrë informacion në rrugë operative se shtetasi Haxhi Qefalia ishte duke futur një sasi lënde narkotike në një banesë në fshatin Priskë e Vogël të Njësisë Administrative Zallherr.

Shërbimet  policore kanë  shkuar menjëherë në adresën e dhënë ku gjatë kontrollit të banesës të marrë me qira nga shtetasi Haxhi Qefalia, është  konstatuar një sasi lënde narkotike e dyshuar si Canabis Sattiva, që pas peshimit  rezultoi me një peshë 55.3 kg.

Gjithashtu nga veprimet e shpejta policore është kapur në flagrancë në një distancë rreth 20 m, larg kësaj banese në tentativë për t’u larguar shtetasi Vullnet Qefalia, i cili u kap me një sasi lënde narkotike e dyshuar si Canabis Sattiva, që pas  peshimit  rezultoi 3.7 kg.

Lënda narkotike e dyshuar si Canabis Sattiva u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve të para proceduriale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

1- Haxhi Qefalia, 36 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Priskë e Vogël të Njësisë Administrative Zallherr.

2- Vullnet Qefalia, 31 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Priskë e Vogël të Njësisë Administrative Zallherr (vëllezër me njëri -tjetrin).

Gjithashtu u  proceduan në gjendje të lirë shtetasit:

– Sh. K., 53 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Priskë e Vogël të Njësisë Administrative Zallherr.

– Xh. K, 53 vjeçe, lindur dhe banuese në fshatin Priskë e Vogël.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasit e proceduar në gjendje të lirë (bashkëshortë me njeri-tjetrin)  ishin pronarët e banesës  ku u gjet lënda narkotike të cilën ia kishin dhënë me qira  gjysmën e banesës shtetasit H.Qefalisë dhe në pjesën tjetër të kësaj banese jetonin vetë.

Materialet proceduriale do t’i dërgohen Prokurorisë pranë Gjykatës Rrethit Gjyqësor  Tirane, për veprën penale “Prodhim, mbajtje dhe shitje të bimëve narkotike”, parashikuar nga neni 283 i  Kodit Penal, në ngarkim të shtetasve Haxhi Qefalia dhe Vullnet Qefalia, si  dhe për veprën penale të “Moskallëzim të krimit” parashikuar nga Neni 300 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasve Sh.K. dhe Xh.K. /Blitz.al/

Shperndaje