Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Tiranë, arrestohen 2 specialistë të Bashkisë Tiranë, masa disiplinore për 4 punonjës policie

Tiranë, arrestohen 2 specialistë të Bashkisë Tiranë, masa disiplinore për 4 punonjës policie
August 12
12:50 2017

Dy specialistë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Tiranë dhe një qytetar tjetër në lidhje me ta janë vënë në pranga nga policia me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” lidhur me një ndërtim pa leje.

Gjithashtu është arrestuar një qytetar dhe nga ana e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka nisur procedim disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për katër punonjës policie të Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë për mosveprim.

Të arrestuarit janë:

Jetnor Gjoka, 47 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë;

Amarildo Duka, 29 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me detyrë specialist pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Tiranë

Dritan Bregasi, 43 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me detyrë specialist pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Tiranë.

Arrestimi i tyre u bë për veprat penale “Ndërtim pa leje” dhe “Shpërdorim detyre”, pasi gjatë mbrëmjes së të premtes, në vendin e quajtur rruga “Xhanfize Keko”, pallati ML, Gjoka ka kryer ndërtim pa lejen e organeve kompetente në një sipërfaqe ndërtimi garazhi prej 530 m2.

Por nga ana e inspektorëve të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, edhe pse morën dijeni për këtë ndërtim pa leje e kanë lejuar duke sjellë pasoja ndaj interesave të ligjshme të banorëve të pallatit, në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Gjithashtu në lidhje me këtë vepër penale nga SHÇBA janë kryer veprime procedurale penale mbi dyshimet për implikim të punonjësve të policisë pranë Komisariatit Nr.4, Tiranë, konkretisht punonjësit e policisë me iniciale:

Xh.M.

Y.H.

F.D.

E.H.,

të cilët në përmbushje të detyrave funksionale të tyre janë mjaftuar vetëm me komunikimin verbal të specialistëve të IMT.

Gjithashtu ndaj punonjësve të policisë ka nisur dhe procedimi disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për mosveprim.

Lidhur me këtë rast materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Ndërtim pa leje” dhe “Shpërdorim detyre”. /Blitz.al/

Shperndaje