Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Thirrja e Berishës për armatosje, Prokuroria vendos mosfillimin e procedimit: S’përbën vepër penale

Thirrja e Berishës për armatosje, Prokuroria vendos mosfillimin e procedimit: S’përbën vepër penale
June 05
12:16 2016

Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur të mosfillimin e procedimit penal ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, pas kallëzimit të bërë nga një grup deputetësh që e kallëzuan atë për thirrje për armatosje.

Referuar kallëzimit penal të përgatitur nga 11 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, me deklaratën e tij më  21 maj 2016, deputeti Sali Berisha ka konsumuar tre vepra penale. Ai u akuzua për thirrjet për armatosje ose marrje pa të drejtë e komandës, thirrjet publike për veprime të dhunshme dhe përhapje e informatave të rreme që ngjallin panik.

“Unë kam një kërkesë për shqiptarët sot: ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, për sigurinë e tyre, të armatosen, të sigurojnë armë. Të armatosen të gjithë qytetarët që duan të mbrojnë veten e tyre. Nëse ju o organizatë kriminale, mendoni të terrorizoni opozitën dhe qytetarët me bandat tuaja, ju garantoj se opozita dhe qytetarët janë të gatshëm t’jua kthejnë ju me të njëjtat mjete. Dhe tani, sapo përmenda fjalën “armë”, ju ngritë nga frika, ju ka hyrë frika deri në palcë”, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij në seancën plenare.

Pas kryerjes së verifikimeve, Prokuroria e Përgjithshme vendosi mosfillimin e procedimit penal ndaj ish-kryeministrit, duke argumentuar ndër të tjera se:

Deklaratat e deputet të Kuvendit të Shqipërisë, nga foltorja e sallës plenare, janë bërë në funksion të veprimtarisë parlamentare dhe në përmbushje të fjalës së lirë të opozitës parlamentare;

Deklarimet e bëra prej të kallëzuarit, në cilësinë e deputetit, ndonëse të kryera në ambientet e Kuvendit, gjatë një veprimtarie parlamentare dhe të lidhura me çështjet në debat parlamentar, nuk përmbushin elementët e ndonjë vepre penale;

Pikëpamja, sipas të cilës shteti mund të lejojë pajisjen me armë e popullsisë në mënyrë ligjore, është një këndvështrim politik, i cili nuk është i ri, pasi ka eksperienca të tilla në vende të ndryshme të botës, përfshi këtu edhe SH.B.A-në, por kjo nuk do të thotë që ata politikanë të cilët e përqafojnë këtë kauzë duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore;

Prokuroria arrin në përfundimin se, fjalimi i të kallëzuarit, deputetit Sali Berisha në seancën plenare të datës 21.04.2016, është bërë në funksion të veprimtarisë dhe lirisë parlamentare. Fjala e mbajtur prej tij konsiderohet se janë pjesë e lirisë parlamentare të fjalës, mendimit dhe qëndrimeve, në ushtrim të mandatit të deputetit të garantuar dhe parashikuar nga neni 73 i Kushtetutës.

 

Komento