Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Theresa May: “Mjaft më! Koha për qëndrim të ashpër ndaj terrorizmit”

Theresa May: “Mjaft më! Koha për qëndrim të ashpër ndaj terrorizmit”
June 05
13:23 2017

Kryeministrja britanike Theresa May ka dënuar ashpër sulmet e fundit terroriste në Londër, që lanë shtatë persona të vdekur dhe 48 të plagosur.

“Mjaft më!”- u shpreh zonja May, duke theksuar nevojën për masa më të ashpra kundër terrorizmit. Këto fjalë kryeministrja britanike Theresa May i tha gjatë një fjalimi drejtuar vendit, një ditë pas sulmit terrorist në Londër.​

“Ne besojmë se po përjetojmë një prirje të re në kërcënimin me të cilin përballemi ndërsa terrorizmi ushqen terrorizmin dhe autorët janë të frymëzuar për të sulmuar jo vetëm në bazë të komploteve të organizuara me kujdes pas shumë vitesh planifikimi dhe trajnimi ose radikalizimit në internet, por duke kopjuar njëri-tjetrin dhe duke përdorur shpesh metodat më të egra të sulmeve”,- tha May.

Më tej ajo shtoi se sulmet e fundit janë produkte të të njëjtave rrjete dhe lidhen nga e njëjta ideologji e keqe që pretendon se vlerat e lirisë dhe demokracisë perëndimore nuk përputhen me fenë islame.

“Ka një tolerancë tepër të madhe për ekstremizmin në vendin tonë. Ne duhet të jemi më të fortë në identifikimin dhe mposhtjen e ekstremizmit në shërbimet publike në mbarë shoqërinë tonë”,- tha May.

Tre persona ishin të përfshinë në sulmin në Londër, ku shtypën dhjetëra njerëz me një furgon që po e ngisnin me shpejtësi të lartë dhe pastaj në tregun e frutave dhe perimeve, Borough Market, ata zbritën nga furgoni dhe goditën me thikë shumë njerëz.

Policia tha se tre autorët e sulmit u vranë nga forcat e sigurisë, tetë minuta pas telefonatës së parë nga shërbimet emergjente. Policia tha se jelekët e veshur nga sulmuesit që dukeshin si bomba vetëvrasëse ishin të rreme. Policia dyshon se ato u përdorën nga sulmuesit për të shkaktuar frikë dhe panik. /Blitz.al/

Shperndaje