Blitz

 Breaking News

Thellohet bilanci nga koronavirusi/ 56 viktima në Kinë dhe 2000 të infektuar, izolohen miliona njerëz

Thellohet bilanci nga koronavirusi/ 56 viktima në Kinë dhe 2000 të infektuar, izolohen miliona njerëz
January 26
13:03 2020

Koronavirus nuk ndalet, përkundrazi, vazhdon të infektojë dhe të shkaktojë viktima, që deri tani janë 56, ndërkohë që pothuajse 2000 persona janë të infektuar. Regjistrohet viktima e parë në Shanghai, një nga zonat financiare më të mëdha në botë, rrjedhimisht ku ka dhe shumë kontakt mes njerëzve, dhe ku janë regjistruar 40 raste të infektuara. Pak Pekinit , Tianjin, Xi’an edhe provinca e Shandong ka ndaluar qarkullimin e mjeteve publike, pra po mendon izolimin. Është mbyllur edhe Disneyland Hong Kong dhe amerikanët po bëjnë evakuimin e bashkëkombasve të tyre, Kompania e njohur Peugeot gjithashtu ka evakuuar të gjithë stafin e saj.

Një i dyshuar si i prekur nga virusi është nën observim në Toronto, në Kanada. Ka edhe një rast në Vjenë. Bëhte fjalë për një asistente fluturimi kineze, e cila në 24 janar ka mbërritur në kryeqytetin austriak dhe që në ditët e mëparshme ka qenë në Wuhan. Gruaja ndodhet në izolim në spitalin “Kaiser Franz Josef”, pasi është shtruar dje me simptoma gripale. ‘Nuk përjashtojmë që mund të bëhet fjalë për koronavirus’- komunikon drejtori mjekësor i spitalit vjenez Michael Binder në një njoftim për shtyp.

Presidenti Xi Jinping nga ana tjetër ka pranuar për mediat që situata është e rëndë dhe epidemia vazhdon të përhapet me shpejtësi, por premton që: “Do ja dalim!” . Kina ka njoftuar ndalimin e përkohshëm të tregtisë së kafshëve, teksa vendi po lufton për të frenuar epideminë, e cila besohet se ka ardhur nga ushqime me kafshët e egra, tipike e menusë orientale. Rritja, transporti dhe shitja e të gjitha specieve të kafshëve është ndaluar që nga data e njoftimit e deri në fund të situatës epidemike kombëtare, thuhet në një direktivë të lëshuar nga tre agjenci të nivelit të lartë, mes të cilave edhe Ministria e Bujqësisë në shtetin aziatik.

Vendi më i populluar në botë ditët e fundit ka miratuar masa të rrepta por të nevojshme, për të ndaluar përhapjen e virusit( i ngjashëm me SARS, që shkaktoi qindra viktima në 2 vjet), i cili tashmë ka infektuar gati 2,000 njerëz dhe ka vrarë 56 prej tyre, që nga fillimi i tij i këtij viti, kur u shfaq në një treg peshku në Wuhan në 31 dhjetor. Koronavirusi mund të përhapet edhe nëpërmjet personave pa asnjë simptomë, sipas një studimi të publikuar nga revista shkencore angleze “The Lancet”.

Presidenti kinez gjithashtu ka mbledhur komitetin e emergjencave dhe për të siguruar që vendi është në gjendje ‘ta fitojë këtë luftë’, ka pranuar që për të ndaluar që epidemia të përhapet me shpejtësi, nevojitet të shumëfishojmë forcat. Kështu festimet për Vitin e ri kinez janë anuluar për 56 milion njerëz. Kordoni sanitar në fakt është shtrirë në 18 qytete në provincën e Hubei, ku gjithashtu transporti publik është mbyllur. Nga e hëna do të ndërpriten turnetë jashtë vendit, teksa turnetë brenda vendit janë anuluar prej ditësh. Në Wuhan ndër të tjera atmosfera është drithëruese.

Në izolim janë më shumë se 56 milionë banorë, ndërsa në regjimin më të ashpër është pikërisht qyteti i Wuhanit, epiqendra e Koronavirusit, me 11 milionë banorë. Një shtetase amerikane që jeton atje nuk ka mundur të largohet, por ka publikuar pamjet nga rrugët dhe sheshet e Wuhanit, ku askush nuk lëviz. Të gjithë janë mbyllur nëpër banesa, dhe nuk kontaktojnë me askënd, si masë për të mos u prekur nga virusi i përhapur në qytet.

Ndërkohë që për disa ditë në dyqane pati dyndje të njerëzve që merrnin ushqime, në mënyrë që të qëndronin sa më gjatë në izolim. Fotot e realizuara prej saj, jane publikuar nga mediat britanike dhe janë ato që patë më lartë. /Blitz.al/

Burimi: Balkanweb

 

Share