Tërmeti në Itali, Mbrojtja Civile: Janë ndihmuar 15 mijë njerëz. Renzi: Do të rindërtojmë gjithçka

Një ditë pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 6.5 ballë që goditi Italinë Qendrore me epiqendër në Norcia, vijon puna për strehimin e banorëve të prekur dhe përmirësimin e situatës.
Mësohet s lëkundjet e forta të mëngjesit të djeshëm janë shoqëruar me 700 goditje. Mijëra njerëz nga Umbria, Marche, Lazio e kanë kaluar natën e parë pas tërmetit në makinë ose në qendrat e pritjes.
Mbrojtja Civile në Itali bën me dije se 15 mijë njerëz janë ndihmuar deri tani, ndërkohë që ekipet e shpëtimit vijojnë angazhimin për t’u ardhur në ndihmë të tjerë personave.
“Synimi ynë i parë është të ndihmojmë të prekurit nga tërmeti. Nuk mund t’i strehojmë ata në tenda të ngritura në male, në këto kushte atmosferike, kur ekzistojnë hotelet. Dëmet ekonomike, kulturore, fetare, që tërmetet kanë shkaktuar janë të shumta. Megjithatë, ne do të rindërtojmë çdo gjë”, – u shpreh kryeministri italian Matteo Renzi. /Blitz.al/