Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Tërmeti në Ekuador, shkon në 272 numri i viktimave. Shpallet gjendja e jashtëzakonshme

Tërmeti në Ekuador, shkon në 272 numri i viktimave. Shpallet gjendja e jashtëzakonshme
April 18
11:43 2016

Pas tërmetit të fuqishëm që goditi Ekuadorin, numri i viktimave mësohet të ketë arritur në 272, ndërkohë që numërohen më shumë se 1,500 të plagosur. Ndërkohë që operacionet e shpëtimit vazhdojnë, rreth 3,500 forca të policisë janë angazhuar në gjetjen e të mbijetuarve.

Sipas zyrtarëve vendas, pritet që të rritet numri i viktimave si pasojë e tërmetit me magnitudë 7.8 ballë. Presidenti i Ekuadorit, Rafael Correa, anuloi vizitën e parashikuar në Itali si pasojë e tërmetit që goditi vendin. Në një deklaratë për mediat, ai shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe tha se prioritet vijon të mbetet gjetja e të mbijetuarve.

“Çdo gjë mund të rindërtohet, por ata që ikën nuk mund t’i rikthejmë dhe kjo është ajo që dhemb më shumë”,-  është shprehur ai.

Teksa operacionet e shpëtimit vazhdojnë, helikopterë dhe autobusë kanë nisur transportimin e trupave në veri të vendit, por janë penguar nga rrëshqitjet e tokës. Në disa zona të goditura nga tërmeti, njerëzit kanë nisur të gërmojnë vetë për të gjetur të mbijetuar të tjerë.

Qeveria bëri me dije se 600 milionë dollarë, të financuar nga huadhënësit multilateralë, janë aktivizuar menjëherë. Ndërkaq nuk kanë munguar ndihmat nga Meksika dhe Venezuela, shtete që kanë dërguar personel mjekësor dhe furnizim me ushqime.

Dy tërmete goditën gjithashtu Japoninë gjatë të enjtes në mbrëmje dhe të shtunën në mëngjes. Së bashku me Japoninë, Ekuadori ndodhet në zonën “Unaza e zjarrtë” të veprimtarisë sizmike.

Komento