Blitz

 Breaking News

Tërmet i fuqishëm në Turqi e Greqi, 2 viktima e mbi 100 të plagosur

Tërmet i fuqishëm në Turqi e Greqi, 2 viktima e mbi 100 të plagosur
July 21
10:11 2017

Një tërmet i fuqishëm ka goditur orët e para të mëngjesit të sotëm qytetin e Bodrumit në Turqi duke u ndjerë i fuqishëm edhe në disa ishuj e zona të Greqisë.

Si pasojë e tërmetit që raportohet të ketë qenë 6.7 ballë i shkallës Rihter janë plagosur mbi 100 persona dhe 2 prej tyre kanë humbur jetë në ishujt Kos dhe Rhodos të Greqisë.

Nga raportimet e mediave greke mësohet se dy personat që kanë humbur jetën janë një shtetas turk 30-vjeçar dhe një 20-vjeçar suedez.

Nga tërmeti dëmet materiale të shkaktuara në ishullin Kos kanë qenë të shumta, ndërkohë që edhe transporti detar është pezulluar për shkak të dëmtimit të portit.

Momentalisht banorët dhe turistët në këtë ishull janë duke qëndruar jashtë banesave të tyre. Nga sa raportohet nga mediat greke, një tjetër tërmet pritet të godasë këtë zonë.

Nga raportimet e para nuk ka shqiptarë të lënduar.

Ambasadori shqiptar në Turqi, Gent Gazheli, ka deklaruar gjatë një lidhjeje telefonike për “Report Tv” se nuk ka shqiptarë të lënduar nga tërmeti 6.7 ballë që goditi qytetin e Bodrumit.

Ai tha se dëmet nga ky tërmet janë të konsiderueshme pasi janë shkatërruar banesa dhe hotele, ndërsa janë shkaktuar dhe viktima.

“Janë prishur banesa, hotele, çka ka bërë që njerëzit të dalin në rrugë të tmerruar.

Nga grupet e shpëtimit po punohet për gjetjen e personave të bllokuar apo dhe të lënduarit.

Nga kontakti që kemi pasur me autoritetet turke nuk kemi asnjë shqiptar të lënduar nga ky tërmet i fortë me magnitudë 6.7 ballë. Epiqendra e tërmetit ka qenë në Bodrum. Fatmirësisht shtetas shqiptarë nuk ka pasur”, – tha ai. 

Gazheli thaAmbasada Shqiptare në Turqi ka vënë në dispozicion një numër telefoni për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve të lënduar nëse do të ketë.

“Ministria e Punëve të Jashtme, Ambasada e Shqipërisë në Turqi është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet turke. Deri tani nuk kemi pasur asnjë telefonatë për shqiptarë të lënduar. Numri është si në faqen shqiptare të Ambasadës Shqiptare në Turqi, në FB, Twitter por edhe në faqen time zyrtare”, – tha ambasadori shqiptar në Turqi, Gent Gazheli. /Blitz.al/

Share