Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Tension në Maqellarë – Policia: Deputeti i PD-së i nxori pistoletën banorit

Tension në Maqellarë – Policia: Deputeti i PD-së i nxori pistoletën banorit
September 11
10:47 2016

Aktualisht në Dibër janë duke u zhvilluar zgjedhjet për kreun e ri të Bashkisë. Duket se situata është tensionuar pasi dy partitë kryesore, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike, kanë shpërthyer në akuza të njëpasnjëshme mëngjesin e sotëm.

FIllimisht, Partia Demokratike ka denoncuar sot se zyrtari i Drejtorisë së Tatimeve në Dibër, Arben Isaku, ishte kapur në flagrancë duke dhënë para për të blerë vota në Maqellarë. Sakaq, Partia Socialiste ka denoncuar një rast dhune ku protagonist, sipas saj, ka qenë demokrati Flamur Noka. Sipas versionit të uniformave blu, deputeti i PD-së dhe shoferi i tij kanë goditur dhe kanë nxjerrë armët ndaj një personi me iniciale D.I.

Ja versioni i plotë i policisë:

Më datë 11 shtator 2016 , rreth orës 02:00, jemi njoftuar nga Stacioni i Policisë Maqellarë se ishte paraqitur shtetasi D. I., i cili deklaronte se në afërsi të shkollës së mesme Maqellarë është goditur nga disa persona dhe konkretisht nga deputeti i Partisë Demokratike F. N., shoferi i tij dhe shtetasi D. S.
Gjithashtu, shtetasi D. I., në kallëzimin paraprak të bërë me gojë, ka deklaruar se gjatë ngjarjes deputeti F. N. dhe shoferi i tij kanë nxjerrë edhe armë zjarri të tipit pistoletë.
Nisur nga kallëzimi i bërë nga ky shtetas, menjëherë nga ana e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Dibër u morën masat e nevojshme për dokumentimin e ngjarjes, ku në drejtim të Maqellarës u dërguan disa forca policie.
Në hyrje të Dobrovës nga ana e shërbimeve të policisë është konstatuar automjeti tip Audi Q-7 me ngjyrë gri me targë AA 007 JF, mjet me të cilin, sipas informacioneve dhe kallëzimit të shtetasit D. I., udhëtonin autorët e ngjarjes së ndodhur.
Shërbimet e policisë, që lëviznin me dy mjete policie, sapo konstatuan mjetin e mësipërm organizuan pikë kontrolli të shpejtë duke i bërë shenjë ndalimi drejtuesit të mjetit tip Audi.
Drejtuesi i mjetit nuk iu bind urdhrave të punonjësve të policisë, por me shpejtësi lëvizi indietro dhe si pasojë u përplas në një nga shtyllat e ndriçimit duke e dëmtuar atë plotësisht.
Megjithëse punonjësit e policisë vazhdonin t’i bënin shenjë ndalimi drejtuesit të mjetit, ai përsëri nuk u bind por lëvizi me shpejtësi para në drejtim të qytetit Peshkopi, duke rrezikuar seriozisht edhe jetën e punonjësve të policisë.
Shtetasit të dëmtuar D. I., i është marrë kallëzimi me shkrim ku ndër të tjera ka deklaruar se: Rreth orës 01.50 në vendin e quajtur para shkollës së mesme Maqellarë, i ka prerë dhe bllokuar rrugën në mënyrë të befasishme një automjet tip Audi Q-7 me ngjyrë gri, ku te targat ka fiksuar vetëm numrat 007.
Nga automjeti i mësipërm kanë zbritur tre persona nga të cilët ka identifikuar deputetin e Partisë Demokratike F. N., shoferin e tij (të paidentifikuar me emër) dhe shtetasin D. S.
Sipas deklarimeve të të dëmtuarit, deputeti F. N.  dhe shoferi i tij kanë qenë të armatosur me pistoleta.
Ata i janë prezantuar të dëmtuarit, shtetasit D. I., si punonjës policie për t’i kontrolluar mjetin dhe personat.
I dëmtuari u është përgjigjur se  i njihte  dhe se nuk kishin lidhje me policinë.
Pas këtij momenti deputeti F. N. e ka goditur me grushte shtetasin D. I. dhe po të njëjtin veprim e kanë bërë dhe shoferi i tij si dhe shtetasi D. S.
Më pas i dëmtuari është nisur për në banesën e tij në fshatin Dovolan, ku në hyrje të fshatit Herbel shtetasit e mësipërm po me të njëjtin automjet kanë tentuar t’i bllokojnë përsëri rrugën, por ai ka shfrytëzuar një hapësirë dhe është larguar me shpejtësi.
Në lidhje me këtë ngjarje, nga ana jonë është bërë shoqërimi në ambientet e Komisariatit Policisë Dibër i shtetasit D. S., ish-punonjës policie dhe po punohet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. Për të gjitha veprimet e kryera si dhe për rrethanat e ngjarjes së ndodhur është vënë në dijeni prokurori.
/Blitz.al/

Shperndaje