Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Të krishterët festojnë ditën e “Ujit të bekuar”

Të krishterët festojnë ditën e “Ujit të bekuar”
January 06
12:13 2017

Dita e 6 janarit, që simbolizon ditën e shenjtë të “Ujit të bekuar”, përcillet çdo vit si një festë e madhe për të gjithë besimtarët ortodoksë.

Dita e “Ujit të bekuar” ka mbledhur sot qindra mijëra besimtarë të krishterë, të cilët kanë përjetuar çastet emocionuese të hedhjes së kryqit në ujë.

Në Korçë, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Fier, Berat, Elbasan, Durrës dhe në shumë qytete të tjera të vendit është mbajtur ceremonia e hedhjes së kryqit në ujë nga një klerik.

Besimtarët më pas kanë nxituar për të nxjerrë kryqin nga uji, i cili është hedhur sipas vendit në lumenj, shatërvanë apo liqen.

Sipas ritit, për të marrë kryqin duhet të futen në ujë të rinj meshkuj dhe ai që e merr i pari konsiderohet i bekuar dhe me mbarësi për këtë vit.

Në simbolikë të kësaj dite qytetarët kanë mbushur edhe shishe me ujë nga vendi ku është hedhur kryqi e më pas me këtë ujë spërkatin shtëpitë e tyre në shenjë mbarësie.

Për besimtarët e krishterë kjo festë është shprehja e vizionit të krishterë për njeriun si dhe për jetën e botën e tij.

Shenjtërimi i ujit vërtetohet sot nga të krishterët, të cilët në çdo 6 janar mbushin ujë të bekuar, i cili qëndron i freskët deri në 6 janarin e vitit tjetër.  /Blitz.al/

Komento
Shperndaje