Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Takim mes kryeministrave Rama-Mustafa: Bashkëpunimi ynë sot, një realitet

Takim mes kryeministrave Rama-Mustafa: Bashkëpunimi ynë sot, një realitet
June 03
16:57 2016

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Kosovë,  dy kryeministrat,  Edi Rama dhe Isa Mustafa, kanë thënë se deri dje bashkëpunimi mes dy qeverive ka qenë ëndërr ndërsa sot është realitet. Në fjalën e tij, Isa Mustafa u shpreh se të qenit bashkë është një kërkesë e qytetarëve dhe obligimi ynë.

“Zoti Edi Rama, është nder i veçantë që të kishim një mbledhje qeverie të përbashkët. Bashkëpunimi vëllazëror dhe investimi maksimal për të qenë së bashku është kërkesë e qytetarëve dhe detyrimi ynë. Deri dje konsiderohej ëndërr e shqiptarëve, sot është realitet dhe nesër do të jetë model europian. Sot qeveria e Kosovës del me bilanc para jush. Ne kemi forcuar ndjeshëm marrëdhëniet dhe me dokumentin për partneritetin strategjik. Në këtë aspekt kanë mbetur pak çështje që të adresohen, ndaj rezultatet janë të prekshme dhe kanë krijuar kushte që të avancohet më shumë. Sot kjo mbledhje solli risi në krijimin e mekanizmave për të bashkëpunuar. Përveç marrëveshjeve, sot nënshkruam edhe deklaratën e përbashkët. Pasi konfirmuam angazhimin e përbashkët, ramë dakord që të ndërmarrim iniciativa konkrete për fusha bashkëpunimi”,- tha kryeministri i Kosovës , Mustafa.

Sakaq, kryeministri i Shqipërisë, Rama e vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve si shumë thelbësor dhe të rëndësishëm, si një model rajonal. Në fjalën e tij, ai është ndalur kryesisht te marrëveshjet e arritura mes dy vendeve deri sot.

Takimi i sotëm konsolidon procesin drejt bashkimit kombëtar të parë si integrim në funksion të modernizimit të dy shteteve tona dhe integrimit të plotë në BE. Kjo ka një përmasë shumë konkrete të përditshme idesh, projektesh, instrumentesh, energjish të përbashkëta, që po jetësojnë dita-ditës krijimin e hapësirës së njehsuar dhe modelin e bashkëpunimit mes nesh, por edhe për rajonin më gjerë. Thellohet bashkëpunimi në fushën ekonomike të financave, transportit, energjisë, të mirëqeverisjes, administrimit publik, mjedisit. Lehtësimi i mëtejshëm i çdo procedure që e pengon rrjedhshmërinë e shkëmbimit mes njerëzve dhe mallrave është objektiv i patjetërsueshëm. Unifikimi i plotë i tregjeve tona është korniza e këtij angazhimi”, – ka thënë në fjalën e tij Rama.

 

Shperndaje