Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Ta bëjmë të lumtur, edhe nëse vuajmë ne”, Tupja rrëfen jetën me djalin autik, Gesin. E quan gruan heroinë

“Ta bëjmë të lumtur, edhe nëse vuajmë ne”, Tupja rrëfen jetën me djalin autik, Gesin. E quan gruan heroinë
April 01
15:08 2017

Përkthyesi Edmond Tupja ka rrëfyer disa detaje prekëse nga jeta me djalin e tij, Gesin, i cili është i prekur nga autizmi që i vogël.

I ftuar te  “Zonë e Lirë”, Tupja ka treguar marrëdhënien me djalin, si sillet ai, si dhe ka treguar se heroina e vërtetë është bashkëshortja e tij, që është përkujdesur më shumë për djalin e tyre.

“Djali im është i lumtur në mënyrën  e vet. Ne prindërit e tij do përpiqemi ta bëjmë të lumtur sa kemi mundësi. I kemi ulur në minimum kërkesat tona. Rëndësi ka ta bëjmë të lumtur, qoftë duke vuajtur edhe ne. Pastaj enigma e madhe është kur të mbyllim sytë ne, çfarë do të bëhet”,- tregoi Tupja.

Më tej ai tregoi për djalin dhe agresivitetin e tij tashmë në moshën 30-vjeçare:

“Ka një agresivitet më të rrallë, por gjithmonë e ka me vetveten. Po t’i afrohesh, të godet, sepse mesa duket uni i tij është herë pas here, ka një koncept të tillë, që kur i afrohesh të quan veten e tij, pra një tejzgjatje të vetes. Në nivelin e funksionimit të trurit është një mënyrë krejt tjetër e konceptimit të të funksionuarit të realitetit. Është një keqqenie e tyre, në momentin kur ne i shohim. Ne duhet të gjejmë mënyrën e të parit të realitetit si ata. Por është e pamundur”,- vijon Tupja, i cili tregon se për fëmijët autikë si djali i tij ka disa ndryshime në krahasim me fëmijët e zakonshëm.

“Gëzimi tregohet nga ngjyra portokalli, qetësia bojë qielli, frika është kafe ose e zezë. Pra koncepti është krejt tjetër. Për të mbijetuar në jetën e përditshme nuk duhet kjo”,- rrëfen Edmond Tupja për djalin.

“Ata duan prindërit. Vetëm dashuria e prindërve i mban. Mua më kanë thënë ta çoj jashtë dhe nuk e kam bërë sepse duhen njerëzit e afërt. Duhet gjuha amtare, sepse e kanë të vështirë të njohin gjuhë të huaj”,- thotë ai.

Tupja nuk ka harruar pa përmendur edhe bashkëshorten e tij Xhilda, që sipas tij është heroina e vërtetë:

“Dy fjalë për Xhildën, nënën e Gesit. Ajo e ka mbajtur barrën kryesore, se unë ikja në punë, shkollë, takime, harrohesha. Ajo është heroina, sepse la profesionin si piktore e ilustruese librash për fëmijë dhe iu përkushtua vetëm djalit tonë”,- përfundoi Tupja. /Blitz.al/

Shperndaje