Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Sulm me armë në Durrës, dy të plagosur. Policia: S’kishim dijeni për lirimin e Skonjës

Sulm me armë në Durrës, dy të plagosur. Policia: S’kishim dijeni për lirimin e Skonjës
October 06
11:02 2016

Një sulm me armë zjarri është shënuar mbrëmjen e djeshme në Durrës, në afërsi të stadiumit. Si pasojë e të shtënave me armë kanë mbetur të plagosur dy persona, të identifikuar si shtetasit: Alfred Skonja 29 vjeç dhe Ismail Çyrbja 25 vjeç.

Burime të Policisë të Durrësit kanë bërë me dije për Balkanweb se janë shoqëruar 9 persona, 2 prej të cilëve si të dyshuar të krimit.

“Dyshohet se një person ka qëlluar me armë në drejtim të një grupi të rinjsh, ku ishin edhe Alfred Skonja, person me precedent penal dhe Ilir Çyrbja, djali i një polici. Burime zyrtare nga policia lokale bënë me dije se ngjarja ndodhi mbrëmë, rreth orës 21:30, në Lagjen Nr. 5 të qytetit bregdetar. Mësohet se nga breshëria e plumbave ka mbetur i plagosur rëndë me një plumb në bark 29-vjeçari Alfred Skonja, i cili është dërguar urgjentisht në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ndërkohë është plagosur me një plumb në këmbë edhe 25-vjeçari Ismail Çyrbja”,- thuhet ndër të tjera në deklaratën e policisë.

Mësohet se dy të plagosurit njihen si përdorues të lëndëve narkotike. “Skonja, me origjinë nga Burreli, prej vitesh jetonte në Lagjen Nr. 5 në Durrës, por kohët e fundit ishte transferuar në Lagjen Nr.17. Që nga koha që kishte dalë nga burgu, ai frekuentohej me shokët e vjetër të lagjes dhe rrinte shpesh në Lagjen Nr. 5”,- citohet në njoftimin për mediat. Burime të policisë shprehen se nuk kishin dijeni për lirimin e Skonjës nga ana e gjykatës. /Blitz.al/

Etiketimet
Shperndaje