Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Suedezja, letër Ramës: Do të mundeshit ta linit nënën tuaj në kushte të tilla?

Suedezja, letër Ramës: Do të mundeshit ta linit nënën tuaj në kushte të tilla?
October 18
12:17 2016

Një qytetare me shtetësi suedeze, e lindur në Shqipëri, në qytetin e Gramshit, i është drejtuar me një letër kryeministrit Edi Rama, ku shpreh shqetësimin për mungesën e shërbimit shëndetësor në Shqipëri.

Në letrën e publikuar nga gazeta “Shëndeti +”, Ana Tabaku apelon për ndërhyrjen e shtetit në spitale që janë në të njëjtën gjendje si spitalet e Sirisë apo Afganistanit pas bombardimeve.

Ndër të tjera në letër, qytetarja pyet kryeministrin se si do të vepronte nëse nëna e tij do të ishte sëmurë, a do ta shtronte ai në spitale të ngjashme me atë të Gramshit, qytetit “xhep” që nuk i intereson askujt.

Në fund të letrës, ajo kërkon që të ndërhyhet për t’u dhënë një motiv më shumë njerëzve që jetojnë në Shqipëri, për të jetuar aty dhe për të mos e braktisur vendin e tyre.

Letra e plotë:

I nderuar zoti kryeministër!

Kjo foto nuk është bërë pas një bombardimi diku në spitalet e Sirisë apo Afganistanit, por është fiksuar pak ditë më parë në një nga mjediset e spitalit të qytetit të Gramshit. Kisha kaluar shumë herë përpara ndërtesës së zymtë të spitalit të qytetit tim të lindjes, duke shmangur vështrimin prej andej për të mos ndier trishtim për ata të mjerë që janë të detyruar të marrin ndihmë në këtë spital. Por nuk e kisha menduar kurrë që do të detyrohesha vetë të kaloja aty tri ditë me nënën time, e cila u shtrua pas shqetësimeve serioze të tensionit të lartë. Ajo që përjetova nuk ishte vetëm shok, por një lëndim, zhgënjim e mbi të gjitha zemërim. Zemërim ndaj të gjithë drejtuesve të Bashkisë së Gramshit ndër vite; zemërim ndaj politikës e cila e ka braktisur qytetarin.

Si mundet që këta njerëz që kanë dorëzuar projekte në qeveri dhe kanë marrë fonde nga shteti në vite për të bërë parqe nëpër lagje, për të rregulluar fasadat e ndërtesave, sheshin në qendër të qytetit (që kushtoi miliona e nuk i hyn askujt në punë) etj., nuk u kujtuan të rikonstruktonin të paktën vetëm një kat të këtij institucioni jetik që ka të bëjë direkt me jetën dhe shëndetin e njerëzve? Apo kryetarët e bashkive janë të interesuar që spitali i qytetit të jetë si një spital lufte dhe për rrjedhojë qytetarët detyrohen të kërkojnë shërbim te privati apo spitalet e qyteteve të tjera? (Nëse ndonjëherë janë dhënë fonde për spitalin e Gramshit, ku kanë shkuar ato? Në këtë rast, abuzuesit duhet të përgjigjen përpara drejtësisë).

Si mundet ai shtet, si munden qeveritë njëra pas tjetrës, të lënë pas dore apo më mirë të themi të demonstrojnë një neglizhencë totale ndaj një institucioni kaq jetësor? A mos kjo ka të bëjë me atë se Gramshi është një qytet “xhep” që deri tani nuk i ka interesuar askujt për t’u futur në projektet prioritare qeveritare për investime kaq të rëndësishme sa shëndeti i njeriut? A nuk është e vlefshme jeta e një qytetari nga Gramshi njësoj me atë të një qytetari tjetër nga Gjirokastra, Vlora, Tirana, Shkodra apo kudo tjetër? Si shpjegohet, zoti kryeministër, që kryetarë partish, por edhe kryeministra, vijnë në Gramsh vetëm për të marrë vota në fushata elektorale dhe nuk kujtohen kurrë më pas për problemet e përditshme të këtij qyteti?

Unë nuk e di se ku vizitoheni ju apo familjarët tuaj, zoti kryeministër, por sinqerisht do të doja t’ju pyesja publikisht: A do të mund ta linit nënën tuaj në një dhomë të tillë spitali, qoftë edhe për disa orë? Sigurisht që përgjigjja është jo. Por kjo nuk do të thotë se për këtë spital dhe njerëzit në këtë zonë dhe zona të tjera periferike, zoti kryeministër, duhet bërë “një vesh shurdh e një sy qorr”.

Zoti kryeministër, unë jam shtetase e Suedisë dhe prej 12 vitesh, nëpërmjet agjencisë time turistike, sjell vazhdimisht grupe turistësh që vizitojnë pjesën më të madhe të Shqipërisë. Të gjitha grupet kanë pasur deri tani fatin e mirë që kanë parë vetëm perlat e Shqipërisë, të cilat nuk mungojnë, fatmirësisht. Mijëra suedezë janë shoqëruar prej meje ndër vite, duke shijuar gjithashtu bar-kafe dhe restorante, jo vetëm të bukura, por edhe tepër luksoze. Shumica e tyre, pasi kanë parë edhe makinat e tipit të fundit në qytetet e mëdha, arrijnë në konkluzionin që Shqipëria nuk është aspak e varfër. Dhe mua më vjen natyrisht mirë, sepse jam lodhur duke dëgjuar me vite që vendi ynë klasifikohet si më i varfri i Europës! Të gjithë ne operatorët në fushën e turizmit mundohemi ta ngremë prestigjin dhe imazhin pozitiv të vendit tonë më lart sesa është në të vërtetë. Por gjithë kohës që jam me turistët, zoti kryeministër jam në tension e druhem mos ndonjëri prej atyre që unë sjell atje do të sëmuret një ditë e do të më duhet të shkoj me të në spitalin më të afërt. A mendoni, zoti kryeministër, se çfarë tmerri do të pësojë turisti suedez, italian, gjerman apo kushdo qoftë, nëse do të kalojë qoftë edhe disa orë në një dhomë të tillë si kjo në foto, ku u shtrua pak ditë me parë edhe nëna ime? A e merrni dot me mend, zoti kryeministër sesa e zhgënjyer, e turpëruar dhe e pafuqishme do të ndihem unë? Si do të mundesha unë që ta “justifikoja” një pamje të tillë? Ju jeni një përdorues i rregullt i rrjeteve sociale dhe besoj se e kuptoni mjaft mirë se çfarë efekti negativ do të kishte për vendin tonë nëse turistët do t’i shpërndanin foto të tilla në Facebook apo diku tjetër. Askush nga ne nuk do të donte që pamje të tilla skandaloze si kjo e spitalit të Gramshit të na zbulonin në sytë e të gjithë botës Shqipërinë tjetër, zoti kryeministër, atë që të gjithë e dimë se ekziston jashtë Tiranës apo qendrave të mëdha të banuara në të gjithë vendin.

Zoti kryeministër, ju me siguri në tavolinën tuaj të punës keni qindra projekte, shkresa e kërkesa të ndryshme anë e mbanë vendit. Por unë, zoti kryeministër, si një banore e këtij qyteti që ka kaluar aty fëmijërinë dhe rininë, do të doja që përparësi për ju të jetë edhe kjo foto, ky spital dhe 30 mijë banorët e këtij rrethi, të cilët nuk kanë asnjë mundësi tjetër ku të përplasen për të kërkuar shërbim e kujdes shëndetësor. Më mirë vonë sesa kurrë! Jo thjesht për nënën time, zoti kryeministër, por për çdo nënë, baba, fëmijë, bijë e bija të kësaj zone. Nëna ime është tani me mua në Suedi dhe unë e motra ime këtu do të përpiqemi t’i gjendemi pranë sa më shumë të jetë e mundur. Por dëshira e saj është që të jetojë në qytetin e lindjes, ku ajo ndihet më mirë se kudo. Madje, edhe në duart e mjekëve atje ajo ndihet e sigurt. Por jo në këto dhoma ku në një vend normal nuk futen as bagëtitë, zoti kryeministër. Ndaj në emrin tim, në emrin e saj dhe në emër të të gjithë banorëve të Gramshit që nuk kanë mundësi që të kurohen në spitale private, ju kërkoj zoti kryeministër që të ushtroni autoritetin tuaj dhe konform të gjitha procedurave, të bëhet i mundur sa më parë rikonstruksioni i këtij spitali që aktualisht gjendet në kushte çnjerëzore. Jepuni një motiv më shumë njerëzve në Shqipëri për të jetuar atje dhe për të mos e braktisur atë vend, zoti kryeministër.

Me shpresë se stafi juaj do t’jua prezantojë këtë letër.

Sinqerisht

Ana Tabaku, Stockholm, 15 tetor 2016

/Blitz.al/

Komento
Etiketimet
Shperndaje