Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Statistikat/ 28 % e familjeve shqiptare kanë vështirësi në pagesën e faturave mujore

Statistikat/ 28 % e familjeve shqiptare kanë vështirësi në pagesën e faturave mujore
July 23
12:30 2019

28% e familjeve shqiptare kanë vështirësi në pagesën e faturave mujore, të tilla si uji, dritat, qira etj për gjatë vitit 2018, sipas gjetjeve të Barometrit të Ballkanit të këtij viti.

Anketa, e cila përfshiu familjet në të gjitha vendet e Ballkanit, evidentoi se në Shqipëri përqindja e familjeve që nuk përmbushin detyrimet për shlyerjen e  faturave të dritave dhe të ujit, është më e madhe se në çdo vend  tjetër, madje edhe më e madhe se në Kosovë, e cila për nga niveli i jetesës është në nivele gati të njejta.

Madje Bosnja dhe Kosova u renditën ndër vendet me më pak vështirësi për përballimin e faturave mujore, përkatësisht me nga  9% dhe 17% secila. Në Maqedoni shihet se 19 për qind e familjeve e kanë këtë vështirësi, ndërsa në Malin e Zi 20% e tyre. Pas Shqipërisë nivelin më të lartë të familjeve që nuk i përballojnë faturat e ka Serbia, me rreth 23% të familjeve.

Sipas të dhënave, numri i familjeve në vështirësi për të paguar faturat mujore erdhi në ulje në raport me vitin 2017, por gjithsesi janë nivel shumë më të lartë se mesatarja rajonale. Gjetja e anketës materializohet edhe në arkëtimet e OSHE-së, ku për rreth 24 për qind e energjisë që hidhet në rrjet, nuk merret asnjë pagesë.

Çmimet e energjisë u rritën pesë vite më parë me rreth 20 për qind. Teksa Shqipëria ka çmimet e energjisë për konsumatorët, në nivelet më të larta rajonale, i ka të ardhurat për frymë në nivelet më të ulta. Sipas të dhënave të Eurostat, gjatë periudhës 2012-2017, të ardhurat për frymë të Shqipërisë u rriten me 700 euro, nga niveli 3300 euro arritën në 4000 euro për frymë.

Rritja më e madhe neto e të ardhurave për frymë ka ndodhur në Malin e Zi. Niveli i tyre, nga 5100 euro në vitin 2012 arriti në 6900 euro në vitin 2017, duke u rritur me 1800 euro. Kjo vlerë ishte gati sa dyfishi i rritjes neto të të ardhurave për frymë se në vendet e tjera të Ballkanit. Më pas, për rritjen më të lartë vjen Maqedonia, të ardhurat për frymë të së cilës u rritën me 1100 euro gjatë 2012-2017.  Gjithashtu Serbia dhe Bosnja raportuan rritje të njëjtë të ardhurash për frymë, me 900 euro për periudhën në fjalë. /Blitz.al/

Burimi: Monitor.al

Share