Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Sondazhi nga Eduard Zaloshnja: “Nëse zgjedhjet mbahen sot, PS fiton +/- 70 mandate”

Sondazhi nga Eduard Zaloshnja: “Nëse zgjedhjet mbahen sot, PS fiton +/- 70 mandate”
June 18
13:24 2017

Analisti Eduard Zaloshnja ka publikuar gjetjet e sondazhit të fundit të realizuar prej tij, me rreth 4000 të anketuar në të gjithë vendin, nëse zgjedhjet parlamentare do të zhvilloheshin sot.

Sipas tij, rezultatet e këtij sondazhi nxjerrin fitues PS-në, e cila merr 70 +/- dy mandate. Ndërkohë një shifër e lartë vijon të mbetet ajo e atyre që refuzojnë zgjedhjet.

Nga Eduard Zaloshnja

Në dy ditët e fundit zhvillova një sondazh elektronik me 4000 të anketuar, të shpërndarë në të gjitha qarqet. Maksimumi i marzhit të gabimit statistikor në nivel kombëtar për këtë sondazh është plus/minus 2%.

Nga sondazhi rezultoi se 25% e zgjedhësve me banim në Shqipëri janë të vendosur të mos votojnë në zgjedhjet e kësaj radhe, ndërsa 10% të tjerë janë ende të pavendosur nëse/për kë do të votojnë.

Duke ndërthurur të dhënat e detajuara të sondazhit me historikun elektoral të çdo qarku, bëra një projeksion probabilitar të mandateve (duke presupozuar se zgjedhjet janë sot). Në skenarin me probabilitet më të lartë, PS-ja do të rezultonte sot parti e parë me 46% të votave në rang kombëtar dhe me 70 mandate. Në dy skenarë të tjerë, me probabilitet disi më të ulët, PS-ja do të rezultonte e para, por me një mandat më pak ose më shumë se 70. Ndërsa në dy skenarë edhe më pak të mundshëm probabilisht, PS-ja do të rezultonte e para, por me dy mandate më pak ose më shumë se 70.

Në figurën e mëposhtme është paraqitur kurba e funksionit të përafërt të densitetit të probabilitetit për intervalin e mandateve që mund të merrte PS-ja, në qoftë se votimi do të ishte kryer sot.

Ky grafik tregon përmbledhtazi që, në qoftë se do të votohej sot, me siguri statistikore 95%, PS-ja do të rezultonte në intervalin 70 plus/minus 2 mandate.

Sidoqoftë, deri në ditën e zgjedhjeve, duhet të kalojë edhe një javë (java më intensive e fushatës) dhe gjërat mund të ndryshojnë. Mos të harrojmë se plot 10% e zgjedhësve me banim në Shqipëri janë ende të pavendosur nëse/për kë do të votojnë.

Shperndaje