Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Skandali, Kukësi tentoi të blinte ndeshjen me Partizanin

Skandali, Kukësi tentoi të blinte ndeshjen me Partizanin
May 10
14:39 2017

Një telefonatë e përgjuar duket se ka hedhur dyshime të forta se ndeshja mes Kukësit dhe Partizanit fundjavën e kaluar u tentua të blihej.

Dy ditë përpara supersfidës së javës së 32-të të Kategorisë Superiore mes Partizanit dhe Kukësit, drejtues të lartë të klubit verilindor kanë tentuar që të korruptojnë lojtarë të klubit të kuq për të toleruar ndeshjen në favorin e tyre.

Burime shumë të sigurta nga zyra e sigurisë nga klubi i Partizanit konfirmuan për “Tema Tv” se ekziston një regjistrim, ku një sekser i ambientit te futbollit vendas pranë federatës, menaxher i Kukësit dhe i porositur nga krerë të lartë të klubit të Kukësit, ka bërë të pamundurën për të korruptuar lojtarët e Partizanit për të toleruar në sfidën përballë tyre.

Ekspertë të sigurisë dhe juristë të klubit Partizani po konsiderojnë hapat e mëtejshëm që duhen ndjekur. Akoma e paqartë se cilat mund të jenë pasojat e veprimit të njerëzve pranë kryesisë së klubit të Kukësit.

Është siguruar një frazë nga audio-regjistrimi, ku ndërmjetësi sekser i ngarkuar nga krerët më të lartë të klubit verilindor mësohet t’u ketë thënë lojtarëve këtë frazë:

“Toleroni dhe më thoni sa doni!”- i është drejtuar sekseri.

Tashmë është duke u investiguar për të siguruar të plotë materialin e këtij regjistrimi, i cili do t’i serviret për transparencë publikut, ku tentohet korrupsioni te lojtarët e Partizanit, duke shpresuar dhe që të tilla raste të mos ndodhin më në të ardhmen.

Deri në momentin kur të mund t’ia servirim detajet e plota publikut, mund të konfirmojmë se bëhet fjalë për një menaxher të lidhur me klubin e Kukësit, Drini Çaushi, i cili menaxhon futbollistët Alla, Rrumbullaku e Kale te verilindorët.

Në këtë video ai i ofron futbollistit Emiliano Vila dhe një kolegu të tij mundësinë për të fituar para nëpërmjet kësaj ndeshjeje që mund të vendoste fatin e titullit.

Kjo video i është dërguar presidentit të Partizanit, Gaz Demi, i cili e disponon dhe është informuar për gjithçka ka ndodhur përpara këtij takimi, i cili u mbyll në barazim 1-1.

Menjëherë pas bërjes me dije të këtij publikimi ka reaguar presidenti i Kukësit Safet Gjici.

“S’kam fare lidhje me këto budallallëqe dhe ai Drini Çaushi s’është menaxher te Kukësi”,- ka thënë Gjici./Blitz.al/

Shperndaje