Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Skandali i korrupsionit në Panama “thyen” internetin, ja liderët botërorë të përfshirë. Po Shqipëria?

Skandali i korrupsionit në Panama “thyen” internetin, ja liderët botërorë të përfshirë. Po Shqipëria?
April 04
08:52 2016

Një grup gazetarësh ka publikuar së fundmi një raport me aktivitetet financiare të disa liderëve dhe ish-liderëve botërorë. Investigimi i “International Consortium of Investigative Journalists” (ICIJ) përmend 143 politikanë nga e gjithë bota, ndër ta 12 liderë shtetërorë që akuzohen se kanë përdorur kompani “offshore” për të fshehur pasurinë e tyre, përfshirë këtu presidentin rus Vladimir Putin, futbollistin Lionel Messi. Kompani “offshore” do të thotë kur një kompani kryen veprimtarinë e saj në një tjetër vend, jo në atë të origjinës, me qëllim përfitimin nga sistemi i taksimit. Lidhur me këtë lajm që po bën bujë në mediat ndërkombëtare, përveç politikanëve u zbuluan edhe 38.000 kompani nga e gjithë bota.

Ndër liderët botërorë të përfshirë në këtë skandal korrupsioni përmenden: presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko; kryeministri i Islandës, Sigmundur Davio; kryeministri i Pakistanit, Nawaz Sharif; presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad; i biri i ish-presidentit të Egjiptit, Alaa Mubarak. Këta besohet se janë disa prej atyre që kanë përdorur të njëjtën skemë për të fshehur pasurinë.

Pavarësisht se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, s’përmendet në asnjë dokument, “ICIJ” raporton se disa prej bashkëpunëtorëve të tij, ndër ta Sergei Roldugin, ka shpërndarë në mënyrë sekrete një vlerë prej 1,7 miliardë dollarësh në banka dhe kompani fantazmë. Në dokumente përfshihen edhe tetë zyrtarë ose ish-zyrtarë të lartë të Kinës, ndër ta edhe kunati i presidentit Xi Jinping, që akuzohet se kanë përdorur të njëjtën skemë.

Rreth 11.5 milionë dokumente nga një zyrë juridike nga Panamaja “Mossack Fonseca” tregojnë se si kjo kompani ndihmon klientët e vet që t’u shmangen taksave dhe të pastrojnë para. E themeluar në vitin 1977 nga Jurgen Mossack dhe Ramon Fonseca, ajo operon në vende të njohura me sistem të ulët taksimi, përfshirë Qipron, Zvicrën.

Në këto lista publike mundet të jenë të përfshirë edhe personazhe shqiptarë. Flitet për dy kompani nga Shqipëria që kanë fshehur fitimet në Panama. Ndërkohë që ende nuk dihen emrat e shqiptarëve që kanë fshehur paratë në Panama, mësohet se janë 3 përfitues dhe 22 pronarë aksionesh, pjesë e listave të zbuluara nga mediat e huaja.

 

Komento
Etiketimet
Shperndaje