Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

S’ka informacione për anijen e marrë peng, familjarët e marinarëve: S’po bëhet asgjë për lirimin e tyre

S’ka informacione për anijen e marrë peng, familjarët e marinarëve: S’po bëhet asgjë për lirimin e tyre
June 23
12:39 2016

Një ditë pas bërjes me dije të lajmit për humbjen e kontaktit me dy anije peshkimi, ende nuk ka informacione për një prej anijeve, “Çelepia”, e cila dyshohet se po mbahet peng nga marinari egjiptian Mohamed Salam në afërsi të Aleksandrisë, në Egjipt.

Mungesa e informacionit ka revoltuar familjarët e kapitenit dhe marinarit shqiptar, të marrë peng. Ata ankohen se shteti nuk po bën asgjë për lirimin e tyre.

Policia bëri me dije se marinari egjiptian kishte telefonuar bashkëatdhetarin e tij në portin e Durrësit, të cilit i kishte thënë se kërkon 70 mijë euro në këmbim të kthimit të mjetit lundrues. Në rast se kërkesa e tij nuk përmbushet, ai kërcënon se do të fundosë anijen së bashku me dy marinarët shqiptarë.

Mësohet se egjiptiani ka dërguar edhe një foto në adresë të pronarit të anijes Murat Çelepia, ku marinari Luan Mema shfaqet i lidhur këmbë e duar me zinxhirë. Menjëherë pronari i anijes është paraqitur në Policinë Kufitare të Durrësit ku ka bërë denoncimin.

Anija “Çelepia” u nis nga porti i Durrësit më 18 qershor me kapiten Dhimitër Malja 54 vjeç, marinarë Luan Mema nga Durrësi dhe Adel Mohamed Salam 30 vjeç, egjiptiani që rezulton të jetë pengmarrësi.

Etiketimet
Shperndaje