Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Si u vodhën ndihmat për të prekurit e tërmetit.Shefi i Rendit në Rinas jep deklaratën

Si u vodhën ndihmat për të prekurit e tërmetit.Shefi i Rendit në Rinas jep deklaratën
November 30
10:50 2019

Pas videove që qarkulluan në rrjet, ku disa persona morën për vete ndihmat që ishin mbledhur për banorët e prekur nga tërmeti, janë marrë masa ndaj tyre.

Shërbimi për Cështjet e Brendshme dhe Ankesat ka arrestuar dy policët dhe zjarrfikësin që morën një sasi të konsiderueshme pakosh ushqimore.

Altin Zekaj, me detyrë shefi i seksionit të Rendit pranë komisariatit të Rinasit dhe gruaja e tij Valbona Zekaj, pedagoge tek Akademia e Mbrojtjes, janë të dyshuar si protagonistët kryesorë të vjedhjes së ndihmave, duke arritur të marrin dhe të çojnë në banesën e prindërve të tyre, plot 15 qese me ushqime të paketuara me ambalazhin e fondacionit “Fundjava Ndryshe” dhe 7 batanije. Ndërkohë 18 pako me ushqime të këtij fondacioni janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Tre janë personat e arrestuar.

Sipas akuzës, pedagogia Valbona Zekaj ishte ajo që siguronte ushqimet dhe më pas ja jepte bashkëshortit të saj, i cili urdhëronte një punonjës tjetër policie Ervin Haxhillarin, që t’i dërgonte pakot me ushqime në banesën e prindërve të Valbonës, ku jetonte dhe vëllai i saj zjarrfikës, Alban Taulla. Mes personave të arrestuar është pikertisht zjarrfikësi Arben Taulla dhe komandanti i skuadrës në seksionin e rendit në komisariatin e Rinasit, Ervin Haxhillari. Ky i fundit ka vendosur të bashkëpunojë me policinë duke treguar të gjithë çfarë kishte ndodhur. Ndaj këtij punonjësi policie, prokuroria ka kërkuar në gjykatë caktimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”. Ndërsa për dy kunetërit Altin Zekaj dhe Alban Taulla është kërkuar masa e sigurisë “arrest në burg”. Për pedagogen Valbona Zekaj hetimet vijojnë në gjendje të lirë.

Shqiptarja.com ka arritur të zbardhë të gjithë dinamikën e vjedhjes së ndihmave. Në datën 28 nëntor 2019 është marrë informacioni nga Shërbimet e Ankesave në Ministrinë e Brendshme se disa persona me uniform policie po kryenin vjedhjen e ndihmave të dhuruara për banorët e prekur nga tërmeti. Nga rrjetet sociale është siguruar një video amatore që tregonte një furgon me targat e Ministrisë së Brendshme, i cili po shkarkonte pakot me ushqime dhe batanije në rrugën “Xhanfize Keko”, që ndodhet në rrugën administrative nr. 4 në Tiranë. Menjëherë është kryer verifikimi i targës MB 391 AA dhe ka rezultuar se ky furgon përdoret nga Departamenti i Kufirit dhe Migracionit. Shërbimet e policisë kanë shkuar në vendin ku ishte shkarkuar furgoni i policisë dhe teksa në banesë është paraqitur Alban Taulla, me detyrë zjarrfikës, kanë ushtruar një kontroll në ambientet e apartamentit prej nga kanë gjetur dhe sekuestruar 15 pako me ushqime të “Fundjava ndryshe” dhe 7 batanije. Menjëherë është kryer arrestimi i këtij personi. Ndërkohë gjatë hetimeve është identifikuar dhe polici Ervin Haxhillari që ka shërbyer si shofer i furgonit, i cili pasi është ndaluar nga policia ka pohuar se në lidhje me përdorimin e furgonit të Ministrisë së Brendshme ai është urdhëruar nga shefi i rendit të komisariatit të Rinasit Altin Zekaj, për të marrë një sasi ndihmash që i kishte siguruar bashkëshortja e tij përmes njohjeve të saj personale. Polici tregon se këto ndihma duhet ti dërgonte në banesën e vjehrrës së shefit të rendit me emrin Shkurte Taulla, ndërsa pjesën tjetër prej 20 pako ishte urdhëruar për ti çuar në zyrën e Altin Zekaj. Për të bërë këtë transportim, Zekaj e ka udhëzuar që polici Haxhillari të kontaktonte në telefon me vjehrrën Shkurte Taulla, e cila më pas ka marrë ndihmat, për ta ndihmuar të birin e saj Alban Taulla.

Roli i Valbona Zekaj duhet të sqarohet nga prokuroria.  Sipas disa përgjimeve që Shqiptraja.com ka lexuar, sapo ajo ka mësuar prezencën e policisë në banesën e prindërve të saj, Valbona i kërkon ndihmë një shoqes së saj E.N., që të shkojë në banesë dhe të tërheqë pakot me ndihma dhe t’i dorëzojë tek njësia administrative nr. 3 në Tiranë. Valbona i justifikohet shoqes së saj se ajo vetë dhe burri i saj Altini ndodhej në Shkodër dhe e kishte të pamundur që t’i çonte vetë pakot me ushqime.

 

Share