Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Si u vodh banka në zonën e ish-Bllokut

Si u vodh banka në zonën e ish-Bllokut
August 12
16:40 2016

Nga Anduena Llabani

Vjedhja e 20 milionë lekëve në Bankën Kombëtare Tregtare në qendër të Tiranës është realizuar brenda dy ditëve. Plani për të grabitur shumën e majme ka bërë që autorët të punojnë prej dy ditësh në bodrumin e një ish-lokali nate, që lidhej me bankën. Skema për prokurorët tashmë është e qartë. Për të mbërritur deri te paratë që mbaheshin në kasafortë, autorët kanë përdorur mjete për të shembur gradualisht murin dhe për të realizuar vjedhjen.

Në një raport hetimor thuhet:

“Bazuar në kontrollin e ambientit rrethues të bankës rezulton se autorët fillimisht kanë ndërruar fishekun e derës së ish-pub-it dhe që aty kanë hyrë brenda. Fillimisht kanë shkuar dhe kanë vepruar në faqen e një muri dhe më pas, pasi kanë hasur në beton, e kanë lënë atë dhe kanë shkuar në faqen e murit prej tulle, ku kanë hapur një vrimë ku mund të hynte lirshëm një trup njeriu. Pasi kanë hyrë në ambientin e brendshëm të bankës, ku ishte dhe dhoma kasafortë, kanë vepruar me mjete pune (çekiç, daltë, kriko) te muri prej betoni i dhomës kasafortë. Veprimin përfundimtar ata e kanë kryer më 06.08.2016, ku kanë hyrë në orën 23:13 dhe kanë dalë në orën 23:19. Në ambientin e pub-it janë gjetur sende që dyshohet se u përkasin autorëve, si: leva hekuri, kriko automjeti, pllaka metalike, tuba metalike”.

Dyshohet se autorët janë dy persona, të cilët kanë dalë nga një dritare e cila ndodhet në anën tjetër të objektit, afër një parkingu.

Pamjet filmike të përftuara nga kamerat e instaluara brenda dhomës së kasafortës kanë identifikuar njërin prej autorëve.

Hetimet janë përqenduar tek identifikimi i autorëve të tjerë, ndërsa dyshime të forta janë ngritur edhe për bashkëpunëtorë, punonjës të bankës. Në qeli për këtë ngjarje mbahet Florian Skarra, shefi i sigurisë së bankës, ndërsa drejtori i filialit u la i lirë, me masën e detyrimit me paraqitje.

Arrestimi i tyre u bë pasi ata kanë neglizhuar situatën edhe pas marrjes së sinjalit, duke mos marrë masat paraprake për të parandaluar vjedhjen e shumës prej 20 milionë lekësh./Blitz.al/

Komento
Shperndaje