Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Shqipëri-Francë, policia tregon rrugët që do të bllokohen dhe masat që do të marrë ditën e nesërme

Shqipëri-Francë, policia tregon rrugët që do të bllokohen dhe masat që do të marrë ditën e nesërme
November 16
12:27 2019

Dita e nesërme është dita kur më në fund Shqipëri do të luajë ndeshjen e parë në stadiumin e ri kombëtar, që do të mbajë emrin “Air Albania”. Përballja me Francën, pervecse një rast special sepse luajmë kundër kampionëve të botës, do të jetë akoma më e rëndësishme sepse inagurohet stadiumi dhe sigurisht do të ketë pjesëmarrje masive nga tifozët por edhe zyrtarë të lartë apo të ftuarit specialë.

Për këtë shkak policia ka marrë një sërë masash për mbarëvajtjen e ndeshjes që si zakonisht do të sjellin bllokimin e një pjese të mirë të Tiranës.

Uniformat blu njoftojnë se do merren një sërë masash teknike dhe organizative në një zonë më të gjerë se perimetri i stadiumit, me qëllim sigurimin e rendit dhe të sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit.

Njoftimi zyrtar:

-Për lëvizjen e automjeteve në zonën në afërsi të stadiumit “Arena Kombëtare”, do të jenë të lira vetëm akset rrugore “Rruga e Elbasanit” dhe Unaza, në të dy drejtimet e lëvizjes së saj. Në të gjitha rrugët hyrëse në këtë zonë nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve.

-Parkimi dhe qëndrimi i automjeteve në zonën e mësipërme nuk do të lejohet. Të gjitha automjetet që janë të parkuara brenda zonës së mësipërme, nga ora 12:00 e datës 17.11.2019 duhet të largohen.

Automjetet e autorizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit duhet të jenë të pajisura me shenjën dalluese në xhamin e përparmë dhe do të hyjnë nëpërmjet bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, tek Ura e Lanës, Libri Universitar dhe Presidenca, me drejtim sheshin “Nënë Tereza” – Rektorati i UT. Në këtë pikë kontrolli për të gjitha automjetet do të bëhet kontrolli antieksploziv i tyre.

Për parkim të automjeteve në qytetin e Tiranës do të përdoren këto vende:

– Automjetet që vijnë nga Elbasani: autobuzat do të parkohen në sheshin e lokal “Calvin”, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë Fakultetit Ekonomik.

– Automjetet që vijnë nga Rruga e Durrësit: autobuzat do të parkohen tek ish-dogana, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, si dhe te parkingu nëntokësor në sheshin “Skënderbej”.

– Automjetet që vijnë nga “Rruga e Kavajës”: autobuzat do të parkohen në Kombinat – Qyteti i Nxënësve, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë stadiumit “Selman Stërmasi”.

Pikat e kontrollit dhe orientimi i tifozërisë:

Për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, Policia e Shtetit do të bllokojë nga ora 17:30 të gjithë zonën rreth stadiumit “Arena Kombëtare”. Për këtë do të ngrihen pika kontrolli, për të  orientuar tifozërinë që sipas sektorëve të biletave të drejtohen për hyrjen në stadium dhe konkretisht:

-Pika e kontrollit midis Rektoratit dhe Mak Albania Hotel: do të hyjnë vetëm tifozët francezë me biletën në sektorin “S” (Jug), si dhe automjetet e autorizuara nga FSHF-ja.

-Pika e kontrollit tek kolonat midis Rektoratit dhe Muzeut Arkeologjik: do të hyjnë vetëm tifozët VIP me biletën në sektorin “Ë” (Perëndim).

-Pika e kontrollit midis Pallatit të Kongreseve dhe Hotel Rogner: do të hyjnë vetëm tifozët me biletën në sektorin “N” (Veri).

-Pika e Kontrollit tek COIN: do të hyjnë vetëm tifozët me biletën në sektorin “N” (Veri).

-Pika e Kontrollit tek “Piceri Fiore” në rrugën “Dervish Hima”: do të hyjnë vetëm tifozët me biletën në sektorin “E” (Lindje).

Parkingu i automjeteve në pjesën lindore të stadiumit “Arena Kombëtare”, në datën 17.11.2019, nuk do të funksionojë dhe nuk duhet të mbahen automjete të parkuara gjatë kësaj date.

Aktiviteti sportiv është parashikuar të fillojë në orën 20:45 dhe hyrja e tifozerisë, me qëllim shmangien e konfuzionit, do të nisë në orën 18:30.

Policia u bën thirrje tifozëve që:

– Të afrohen në këtë orë në stadium dhe mos ta lënë për minutat e fundit

– Të respektojnë dhe zbatojnë këto masa, si dhe të pajisjen me biletë dhe dokument identifikimi

– Të shmangin njëkohësisht mbajtjen me vete dhe futjen në ambientet e stadiumit të sendeve të forta, borive, shisheve të çfarëdolloji, fishekzjarreve, monedhave apo sendeve metalike, pasi do të kontrollohen fizikisht të gjithë

Gjithashtu automjetet e autorizuara nga FSHF-ja për parkim në parkimin nëntokësor përreth stadiumit do të kontrollohen në hyrje tek pika e kontrollit tek Rektorati. /Blitz.al/

Share