Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shqipëri-Francë, grupe policore për të luftuar terrorizmin dhe krimin e organizuar

Shqipëri-Francë, grupe policore për të luftuar terrorizmin dhe krimin e organizuar
February 28
15:14 2017

Nga Anduena Llabani

 

Shqipëria dhe Franca do të kenë grupe të përbashkëta pune për të luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin. Pas një konference të përbashkët për shtyp, ministri Saimir Tahiri dhe homologu i tij francez Bruno Le Roux deklaruan nevojën për një strategji të re pune mes dy vendeve.

“Vizita ime është në kuadër të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, marrëdhënie të cilat më 28 mars do të forcohen akoma më tepër me nënshkrimin në Paris të dy kryeministrave tanë në kuadër të strategjisë dhe partneritetit.

Sot ishim konkretë për pikat ku do të zgjerojmë këtë bashkëpunim, veçanërisht në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Ne duam të forcojmë luftën kundër personave që shfrytëzojnë territorin për të vjedhur.

Franca është një vend që pret dhe di të presë njerëzit, por ajo pret që të vijnë me kushte të rregullta. Mirë se të vijnë studentë, artistë shqiptarë që duan të vizitojnë vendin tonë. Por ne kemi synim të intensifikojmë politikat kundër emigrimit të paligjshëm”,- tha Le Roux.

Ndërkohë që ministri Tahiri tha:

“Ramë dakord për disa pika, më e rëndësishme, sipas meje, ngritja e grupeve të përbashkëta me oficerë shqiptarë dhe francezë që do të bëjnë hetim të përbashkët në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe parave dhe aseteve kriminale. Ramë dakord për të shkëmbyer informacion, nga i cili do të përfitojmë jo vetëm ne për të pasur më shumë siguri, qoftë në Francë apo Shqipëri, por edhe më gjerë. Ndonëse 100 milionë euro të sekuestruara në 3 vjet janë shumë më shumë krahasuar me të kaluarën janë një nxitje për të bërë më shumë.

E informova për domosdoshmërinë që kemi për reformën në drejtësi, Vettingun si mënyra më e mirë për të pasur siguri dhe për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë.

Rastet kur sistemi i drejtësisë ka ndikuar që njerëz me krime në Francë dhe Shqipëri të lirohen nuk ka dëmtuar bashkëpunimin tonë, por rithekson domosdoshmërinë për reformën në drejtësi.

Ne jemi të vendosur të bëjmë shtet, ashtu sikurse jemi të vendosur  për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”,- tha ai duke shtuar:  

“Kriminaliteti shqiptar ose jo në Francë apo kudo në Europë nuk është një dukuri që ndodh tani, nuk është e re dhe nuk na ka kapur të papërgatitur, por lind e domosdoshme që të kemi një bashkëpunim të ngushtë. Më shumë se kriminaliteti dhe paligjshmëria, bashkëpunimin tonë e cënon burokracia. Nëse nuk bashkëpunojmë aq sa duhet do ta kemi të vështirë të bëjmë punën për më shumë siguri.

Nuk ka të dhëna konkrete për ndonjë riaktivizim konkret për tendencë të caktuar  kriminale, por ka hapësirë për të bërë gjithçka që s’kemi bërë më parë.

Janë bërë publike rastet kur shtetas shqiptarë  që kanë kryer vepra të rënda kriminale në Francë në Shqipëri kanë gjetur pafajësi ose janë liruar nga burgu. Gjë që na kujton prapë se sa të domosdoshëm e kemi çlirimin e Shqipërisë nga gjyqtarë të korruptuar në mënyrë që shqiptarë që bëjnë vepra të rënda në Francë apo kudo të mos lirohen pse gjejnë këtu një gjyqtar që merr para dhe t’i vërë thundrën drejtësisë. Kjo ka shqetësuar partnerët tanë dhe ne për sa kohë sistemi i drejtësisë kthen në shoqëri njerëz që kanë rrezik. Prandaj është e domosdoshme reforma në drejtësi”,- përfundoi ai. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje