Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shqipëri, 4 viktima nga gripi

Shqipëri, 4 viktima nga gripi
January 05
16:50 2017

Epidemia e gripit në Shqipëri është në kulmin e saj dhe kjo situatë do të zgjasë 3 deri 4 javë.

Mjekët paralajmërojnë se e njëjta situatë mund të na shoqërojë edhe tri apo katër javë të tjera.

Në spitalin “Shefqet Ndroqi”, disa pacientë të sëmurë kronikë e kanë humbur betejën, pasi janë prekur edhe nga gripi.

“Kemi pasur 4-5 vdekje gjatë kësaj periudhe, kryesisht të të sëmurëve kronikë që nuk kanë arritur të mbijetojnë. Gripi është bërë komplikimi që i ka çuar në atë gjendje”,- thotë mjeku pneumolog Arjan Mezini, për “Top Channel”.

Epidemia gripale e ditëve të fundit ka bërë që për herë të parë në spitalin “Shefqet Ndroqi” të bëhen edhe vizita të zakonshme nga persona që nuk kanë vuajtur më parë.

“Duke filluar nga 31 dhjetori ka pasur një fluks që s’është i zakonshëm për urgjencën e spitalit tonë. Bëhet fjalë për 70 deri në 100 persona në ditë, që janë trefishi i ngarkesës së një dite të zakonshme. Kemi kaluar në shërbim të përforcuar me 3 mjekë”,- thotë Mezini.

Mjeku pneumolog paralajmëron se kjo situatë e rëndë gripale do të vazhdojë. “Do të ketë një rritje, 2 javët e ardhshme do të jenë shumë problematike dhe më pas, si çdo cikël, do të vijë duke rënë”, – shton Mezini shkruan “TCH”.

Simptomat e virusit të tipit A, i cili paraqitet me temperaturë të lartë, dhembje koke e trupi mund te zgjasin nga tre deri ne pese dite.

Rreth 19 mijë persona, sipas specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik, kanë kërkuar ndihmën e mjekut javën e fundit.

Shefi i shërbimit në spitalin infektiv, Arjan Harxhi, bëri apel për kujdes kryesisht për të moshuarit, të sëmuret kronikë dhe fëmijët. Ai tha se një nga masat parandaluese është vaksina e gripit, ndërsa duhen shmangur antibiotikët pa recetë.

Komento
Shperndaje