Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shpëtim Saraçi drejt lamtumirës nga Shqipëria: “Jam i zhgënjyer”

Shpëtim Saraçi drejt lamtumirës nga Shqipëria: “Jam i zhgënjyer”
August 07
09:05 2017

Largimi i tenorit të mirënjohur me famë botërore, Agim Hushi, nga Shqipëria drejt Australisë dhe statusi i tij i fortë për ikjen pa kthim shkaktoi një valë të fortë reagimesh në rrjete sociale.

Por duket se pas tij, një tjetër figurë e madhe e artit shqiptar po mendon seriozisht të largohet përfundimisht nga vendi.

Kompozitori Shpëtim Saraçi nuk ka vendosur ende asgjë, por thjesht fakti që po e mendon seriozisht largimin nga Shqipëria është trishtues.

U desh një status në Facebook nga një gazetare e njohur shqiptare në Amerikë, Kozeta Zylo, me të cilën kishte konsumuar një drekë, që lajmi të fluturonte se kompozitori dhe bashkëshortja e tij, një tjetër emër i njohur në muzikën shqiptare, këngëtarja Mira Konçi, do të largohen nga Shqipëria, për t’u vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“TV “Alba Life” në New York me dy artistë të shquar shqiptarë.

Një takim shumë i këndshëm me dy artistë të mirënjohur shqiptarë, me dy artistë të mrekullueshëm Shpëtim Saraçi dhe Mira Konçi. Biseda me ta ishte e natyrshme, e çiltër, ashtu siç është bota e artistit të vërtetë. Si një çift me përvojë në jetën amerikane ndamë historitë tona dhe inkurajimet për njëri-tjetrin. Të parin urim që u dhamë ishte ashtu siç na kanë uruar miqtë tanë kur shkelëm për herë të parë në tokën e bekuar si:

Ju marrtë Amerika me të mirë!

Është një bekim si prej Zotit!

Banorët e rinj të ishullit tonë në Staten Island do ta kenë të lehtë sepse ky vend njerëzit dhe artistë të tillë i merr vetëm me të mirë…

Së shpejti do të jenë në studion e TV “Alba Life” në Staten Island, New York”,- shkruante Kozeta Zylo në statusin e saj.

Ndërsa, të gjitha mediat shpërndanë lajmin e largimit të tij nga Shqipëria, vetë Shpëtim Saraçi shpjegon situatën në të cilën ndodhet. Është e vërtetë se momentalisht ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ende asgjë nuk është definitive.

ARSYET

I kontaktuar nga gazeta “Panorama, kompozitori Shpëtim Saraçi shprehet se tashmë është duke e menduar largimin dhe për këtë nuk ka pak arsye. Është e qartë që është i zhgënjyer për sa kanë ndodhur kohët e fundit, sidomos në Radio Televizionin Publik Shqiptar, ku redaksia që ai punonte me të tjerë emra të nderuar të muzikës shqiptare si Alfred Kaçinari dhe Edmond Zhulali u shkri, ndërsa ata u lanë në “pritje” të gjetjes së një “pozicioni” tjetër.

Po ashtu, Saraçi shprehet se këtë hap, nëse do ta ndërmarrë, do ta bëjë për të ardhmen e fëmijëve, për shkollimin e tyre në një sistem të konsoliduar arsimor.

“Ajo që është e sigurt, është që po mundohemi të ndihmojmë fëmijët të shkollohen në një sistem arsimor të konsoliduar dhe jemi në kohën kur çdo familje në botë e bën këtë gjë. Për të tjerat, çdo gjë është fakultative. Di që departamentin e punës në RTSH që drejtoja na e shkrinë (një redaksi me traditë 55-vjeçare) në emër të krijimit të ca strukturave të reja që nuk ekzistojnë në asnjë vend të botës. Di që megjithëse punova me gjithë shpirt e pasion për rreth 30 vite në Shqipëri (ku pësova edhe trauma shëndetësore, që mund të më kushtonin edhe jetën) prapë se prapë përfundova duke mbrojtur të drejtën time nëpër gjyqe. Megjithatë, njerëzit e vendit tim i dua dhe i respektoj pafund”,- u shpreh Saraçi, teksa shpreh keqardhjen që i duhet të diskutojë të qëndrojë apo të largohet nga vendi i tij, ku ndërtoi një karrierë të gjatë e të suksesshme.

SI U SHKRI DEPARTAMENTI NË RTSH

Në kuadrin e reformimit të Radio Televizionit Publik Shqiptar, mes shumë ndryshimesh, u shkri edhe Departamenti i Krijimtarisë Muzikore, ku punonin tre mjeshtër të muzikës shqiptare: Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari dhe Edmond Zhulali. Shkrirja e këtij departamenti do të shkrinte edhe pozicionet e tre kompozitorëve më në zë të muzikës shqiptare. Ky largim i sforcuar nga puna u denoncua nga Partia Demokratike, asokohe, por edhe shumë përkrahës të artistëve.

Komento
Shperndaje