Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shpërthim i fuqishëm në Ballsh, 1 i vdekur dhe 7 të plagosur

Shpërthim i fuqishëm në Ballsh, 1 i vdekur dhe 7 të plagosur
November 11
08:53 2016

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në rafinerinë e naftës në  Ballsh, në momentin që po ndërroheshin turnet. Si pasojë e këtij shpërthimi ka humbur jetën një shtetas dhe janë plagosur 7 të tjerë. Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 22:45  në uzinën e përpunimit të naftës nga një valvul e pompës së hidrogjenit në repartin numër 3 në seksionin 92 dhe është shoqëruar me flakë të mëdha. Viktima është Shkëlqim Muça, 40 vjeç. 4 nga 7 të plagosurit u dërguan në Tiranë për mjekim të specializuar, pasi kanë djegie të rëndë në trup mbi 50%.

Të plagosurit që u transportuan në Tiranë janë Fatos Bushaj, Kovac Pashaj, Aleks Kube dhe Viktor Proska.
Zjarrfikësi që u erdhi në ndihmë të plagosurve, Gramoz Fejzo, për fat të keq mbeti edhe vetë i lënduar. Fejzo rrëfen momentet e vështira me të cilat u përball gjatë operacionit të ndërhyrjes për ndihmë.

“Shpërthimi ndodhi në momentin që ndërroheshin turnet. Unë isha i pari që u erdha në ndihmë. Shpërtheu bombola e hidrogjenit. Në momentin që ndodhi shpërthimi ishin 6 veta”,- pohoi zjarrfikësi. Ndërkohë, drejtoresha e spitalit të Fierit, Brunilda Çami, bëri me dije se në spital u paraqitën 5 të plagosur.

“Në spitalin e Fierit u paraqitën 5 të plagosur. 4 u dërguan në repartin e djegieve në Tiranë. Një zjarrfikës u largua nga spitali pasi mori mjekimin”, – tha Çami.

Aktualisht, zjarri është vënë nën kontroll. Grupi hetimor në bashkëpunim me prokurorinë po kryejnë veprimet në vendngjarje  për zbardhjen e shkaqeve  të kësaj ngjarjeje./Blitz.al/

Komento
Shperndaje