Blitz

 Breaking News

Shpenzimet për restorante dhe hotele, ja ku renditen shqiptarët

Shpenzimet për restorante dhe hotele, ja ku renditen shqiptarët
January 17
09:20 2020

Për një vend si Shqipëria, ku të ardhurat janë të ulëta, sigurisht që shpenzimet për restorante dhe hotele do të kenë një peshë të ulët në totalin e shpenzimeve, të paktën krahasuar me vendet e tjera të Europës. Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2018, një familje shqiptarë shpenzoi mesatarisht për restorante dhe hotele 4.7% të totalit të shpenzimeve, ndërkohë që një familje europiane shpenzon mesatarisht dyfishin.

Të dhënat nga Eurostat tregojnë se shpenzimet për një familje në Europë zinin 8.6% të totalit të shpenzimeve. Megjithatë edhe brenda Bashkimit Europian ka diferenca të theksuara nga njëri vend në tjetrin, për sa i përket peshës së shpenzimeve për restorante dhe hotele, të cilat jo domosdoshmërish lidhen me zhvillimin dhe të ardhurat e vendit. Rekordin në Europë për shpenzimet më të lartë të këtë kategori shpenzimet e mbajnë dy shtete ishullore si Malta dhe Qipro, ku përllogaritet se familjet shpenzojnë gati një të pestën e totalit të shpenzimeve për restorante dhe hotele.

Por në të njëjtën kohë nuk mbeten pas as vendet e Ballkanit Perëndimor. 16.2% e totalit të shpenzimeve të familjeve malazeze shkojnë për këtë kategori, duke u renditur si vendi i katër në të gjithë Europën për peshën më të lartë. Pas Malit të Zi renditet Kroacia, vendi më i ri i anëtarësuar në BE. Sipas Eurostat 14.7% e shpenzimeve totale të familjeve atje shkojnë për restorante dhe hotele. Mali i Zi dhe Kroacia janë dy prej destiancioneve turistike në zhvillim të shpejtë, çka dukshëm ka ndikuar në çmimet e hoteleve dhe restoranteve në të dy këto vende. Edhe Spanja, një tjetër destinacion turistik popullor europian, renditet krah vendeve që familjet kanë shpenzime të larta për hotele dhe restorante, me 14.6% të totalit për vitin 2018.

Nga ana tjetër në vendet e Europës Perëndimore, shpenzimet për restorante dhe hotele janë më të ulëta se mesatarja europiane. Kështu për shembull, shpenzimet për restorante dhe hoteleve të familjeve gjermane, ekonomisë më të zhvilluara të Europës, ishin 5.5% të totali të shpenzimeve të familjeve duke u renditur fill pas Shqipërisë. Edhe në vendet e tjera si Danimarka apo Belgjika, shpenzimet për restorante dhe hotele ishin përkatësisht 6.3% dhe 6.5% të totalit.

Shpenzimet më të ulëta në Europë për këtë kategori janë regjistruar në vendin fqinj Serbinë, ku në totalin e shpenzimeve të familjeve atje, shpenzimet për restorante dhe hotele nuk zinin më shumë se 3% të totalit. Më pas renditen vendet si Rumania me 3.1%, Polonia me 3.6% dhe Lituania me 4.2%.

/Blitz.al/

Burimi: Monitor

Share