Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shkencëtarja shqiptare, që frymëzohej nga Marie Kyri, drejt çmimit “Nobel”

Shkencëtarja shqiptare, që frymëzohej nga Marie Kyri, drejt çmimit “Nobel”
September 20
09:29 2016

Klejda Bega është një vajzë nga Elbasani, e cila aktualisht është në prag të marrjes së çmimit “Nobel”, pasi në arritjet e saj në shkencë, ajo ka gjetur një formulë që mund të lëvizë atomet sipas dëshirës nëse përdor një procedurë të veçantë dhe disa pajisje për të cilat ajo i ka krijuar skemat vetë.

Që në fillim Bega ka qenë një nxënëse e shkëlqyer duke u rreshtuar në studentët ekselentë dhe fituese e vazhdueshme e olimpiadave të matematikës dhe fizikës në Shqipëri. Arritjet bënë që ajo të përfundonte Universitetin në Zvicër për t’u pranuar më pas nga Universiteti i Kalifornisë, i cili është ndër më të mirët në fizikë dhe 33 pedagogët që japin mësim aty kanë marrë çmime “Nobel”.

Ajo tani, pas përfundimit të studimeve, është edhe pedagoge në po të njëjtin universitet.

E pyetur se si nisi rrugëtimin drejt thërrmijave, Klejda përgjigjet se ishte pikërisht biografia e Mari Kyrisë që i dha ngacmimin fillestar. “Unë as që e njihja se çfarë ishte fizika, por meqë kjo shkencë i kishte shkaktuar asaj (Marie Kyrisë) aq pasion, me siguri duhej të ishte diçka e mrekullueshme. Thashë: Unë do të bëhem fizikane”.
Në fakt, në atë kohë ajo ende nuk e dinte nëse ishte apo jo e talentuar për fizikë.  Para se të tërhiqej përfundimisht nga kjo shkencë, prindërit kishin tentuar ta bënin muzikante, balerinë, gjimnaste etj. “Por unë nuk kisha fare vesh muzike dhe pikë talenti për balet dhe në një farë mënyre më kish mbetur matematika”.

Klejda ka një këndvështrim më të gjerë sesa thjesht koncepti “fizikë”. Madje ajo e sheh këtë shkencë si bazë për të përparuar në fusha të tjera të jetës. “E para që rekomandoj për të gjithë nxënësit dhe studentët është që ata të vazhdojnë të studiojnë. E dyta dua t’u jap një këshillë që do kisha dashur të ma jepnin edhe mua kur isha vogël. Ne kishim këtë ide: Nëse studion fizikë bëhesh fizikane; nëse studion matematikë bëhesh matematikane e kështu me radhë kimiste, letrare etj. Por në fakt nuk është ekzaktësisht ashtu. P.sh. vajzave që studiojnë fizikë desha t’u them se fizika ju hap shumë dyer. Nuk është e thënë të bëheni fizikane. Fizika ju ndihmon që ju të zgjidhni problemet e jetës, se si t’u jepni zgjidhje rrethanave. Duke mësuar atë ju mund të punoni edhe në financë, ekonomi edhe në qeverisje. Pra ju krijon baza që të studioni çfarë të doni ju”.

Klejda është e martuar dhe ka dy vajza: 3 edhe 5 vjeç.

(Autor: Fatos Salliu PHD, përshtatur nga Blitz.al)

Komento
Shperndaje