Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shembet fasada e stadiumit “Qemal Stafa”, reagon kryeministri Rama në Facebook

Shembet fasada e stadiumit “Qemal Stafa”, reagon kryeministri Rama në Facebook
August 12
13:32 2016

Ditët e fundit është hapur një debat publik për faktin që qeveria ka vendosur ta prishë fasadën historike të stadiumit “Qemal Stafa” e ta rindërtojë në një pjesë tjetër të kompleksit të ri. Më herët, kur u prezantua plani paraprak, u tha se kjo fasadë nuk do të ndryshonte pasi është një trashëgimi kulturore.

Megjithatë, mëngjesin  e sotëm fasada është shembur dhe kryeministri Edi Rama ka dashur ta shpërndajë vetë këtë lajm në llogarinë e tij në Facebook, për të shpjeguar edhe arsyet e ndërrimit të planit.

“Kujevënësit profesionistë që argument kanë injorancën kanë vënë alarmin (për dy basorelieve pa asnjë vlerë, që tutkunët e regjimit të vjetër ia mballosën fasadës së “Qemal Stafës”) dhe po bërtasin që po dëmtohet trashëgimia kulturore😱 Ato basorelieve që turpëronin edhe realizmin socialist e kanë kryer misionin e tyre të shëmtimit e nuk hyjnë askund si vlerë e trashëgimisë kulturore.

Fakti është që fasada monument kulture po trajtohet me të gjitha standardet profesionale nën mbikëqyrjen e Institutit të Monumenteve të Kulturës në bashkëpunim me qendrën italiane të ekselencës në restaurim “Palazzo Spinelli”.
Të gjitha elementet e gurta të kohës po inventarizohen dhe do të rivendosen në vendin e tyre, njësoj siç kanë qenë në projektin e arkitektit të famshëm, ku në vend të dy mballomave vulgare prej betoni do të realizohen dyert e parashikuara e dizenjuara nga Gherardo Bosio.

Prandaj, edhe njëherë ‪#‎QentëLeTëLehinKarvaniDoEcëPërpara dhe stadiumi i ri do të jetë përgjigjja përfundimtare, për gjithë furtunat në gotën e dembelizmit mendor e të karshillëkut provincial ndaj të resë, që u ngritën e do të ngrihen, derisa Arena Kombëtare të imponohet me të gjithë rrezatimin e saj”, – ka përfunduar kryeministri Rama.

Shperndaje