Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Bardhyl Kollçaku betohet para presidentit Meta

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Bardhyl Kollçaku betohet para presidentit Meta
August 30
16:37 2017

Në Institucionin e Presidentit u zhvillua sot ceremonia solemne e betimit të shefit të ri të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneral brigade Bardhyl Myrteza Kollçaku, para Presidentit të Republikës, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Sh. T. Z. Ilir Meta.

Pas nderimit të himnit kombëtar u lexua dekreti i Presidentit të Republikës që emëron gjeneral brigade Bardhyl Myrteza Kollçakun si shef të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Gjeneral brigade Kollçaku u betua se: Do t’i bindet kushtetutës e ligjeve, do t’i shërbejë me ndershmëri vendit dhe do të mbrojë interesat e Republikës së Shqipërisë”, duke e falënderuar Komandantin e Përgjithshëm për besimin dhe vlerësimin e madh si dhe duke shprehur njëkohësisht përkushtim e tij ndaj përmbushjes me sukses të këtij misioni të lartë.

Në ceremoni ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, atashe ushtarakë të vendeve të NATO-s dhe atyre mike e partnere të akredituar në vendin tonë etj.

Në fjalën e tij të rastit, presidenti Meta, duke i uruar suksese gjeneral brigade Kollçakut në detyrën e lartë, shprehu fillimisht mirënjohjen e e të sinqertë, respektin dhe konsideratat më të larta për burrat dhe gratë në uniformë që kanë kontribuuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë me përkushtim dhe sakrifica të panumërta për mbrojtjen e vendit dhe interesave tona kombëtare gjatë 105 viteve të shtetit shqiptar.

Presidenti i Republikës falënderoi edhe 153 ushtarakët shqiptarë që janë me mision në Afganistan, Detin Egje, Letoni, Mali, Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë si dhe koleget e tyre që po kontribuojnë me vetëmohim për shuarjen e zjarreve apo emergjenca të tjera civile në shërbim të qytetarëve tanë.

“Shpreh besimin dhe angazhimin tim institucional, që përkushtimi shembullor, sakrificat sublime, dhe ndershmëria e spikatur e ushtarakëve, do të respektohen dhe vlerësohen nga ana ime, dhe të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, bazuar në trinomin tuaj: detyra, nderi, atdheu”, – nënvizoi presidenti Meta.

“Si Komandant i Përgjithshëm ju garantoj se përkushtimi dhe kontributet e ushtarakëve do të maten, konsiderohen, vlerësohen dhe promovohen vetëm sipas meritës, integritetit dhe vlerave profesionale të gjithsecilit prej pjesëtarëve të Forcave tona të Armatosura.

Çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, përmirësimi i buxhetit të mbrojtjes, modernizimi dhe rritja e kapaciteteve operacionale të Forcave tona të Armatosura, përmbushja e detyrimeve dhe përgjegjësive në kuadër të NATO-s, do të mbështeten fuqimisht nga unë për 5 vitet në vijim”, – vuri në dukje qëndrimin e tij të palëkundur Presidenti i Republikës.

“Ju uroj shumë suksese edhe në organizimin, për herë të parë në Shqipëri, më 15-17 shtator të këtij viti, të takimit të shefave të shtabit të vendeve anëtare të NATO-s, një ngjarje e rëndësishme për vendin tonë dhe Forcat tona të Armatosura!” – u shpreh Presidenti Meta në përfundim të ceremonisë së betimit të shefit të Shtabit të Përgjithshëm.

Shperndaje