Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

SHBA-Kosovë, nënshkruhet marrëveshja e re e ekstradimit

SHBA-Kosovë, nënshkruhet marrëveshja e re e ekstradimit
March 29
16:45 2016

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova kanë nënshkruar marrëveshje të re për ekstradimin, ndërkohë që është shfuqizuar ajo me Serbinë e vitit 1901. Marrëveshja u nënshkrua mes ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie dhe presidentes Atifete Jahjaga, e cila tha se mungesa e kësaj marrëveshjeje të ekstradimit ka qenë një pengesë ligjore për përmbyllje të suksesshme të rasteve.

“Me këtë marrëveshje të nënshkruar sot, Kosova dhe SHBA-të, përpos që forcojnë partneritetin dhe përcaktimin për rend dhe ligj, garantojnë që kriminelët që paraqesin rrezik për rendin dhe sigurinë e qytetarëve të vendeve tona do të ndiqen dhe do të vihen para drejtësisë”,-  u shpreh Jahjaga.

Nga ana tjetër, ambasadori amerikan Delawie tha se marrëveshja e nënshkruar së fundmi me Kosovën shfuqizon marrëveshjen e nënshkruar më parë mes qeverisë amerikane dhe asaj serbe.

“Rëndësia e saj do të jetë tepër e madhe në parandalimin e terrorizmit dhe krimit ndërkombëtar. Marrëveshja ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës është gjithashtu një mekanizëm që do të rrisë besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës. Besueshmëria e Kosovës rritet gjithashtu edhe kur vendi lufton me sukses korrupsionin e brendshëm. Jam krenar që SHBA-të bashkëpunojnë ngushtë me Kosovën për këtë gjë”, – tha Greg Delawie.

Komento