Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Sezoni i dasmave, 9 të plagosur nga të shtënat me armë në Kosovë

Sezoni i dasmave, 9 të plagosur nga të shtënat me armë në Kosovë
August 06
10:13 2017

Qytetarët e Kosovës si duket s’e kanë kuptuar ende moton e fushatës “Festo me zemër, jo me armë”.

Kjo fushatë ka disa vjet që është lançuar nga Policia e Kosovës në çdo verë, stinë kur bëhen dasmat. Por të shtënat nëpër festa dhe ahengje veç sa shtohen çdo vit, madje ndonjëherë duke marrë edhe jetë njerëzish.

Këtë vit fatmirësisht nuk ka pasur ndonjë rast me fatalitet nga të shtënat nëpër dasma ndonëse në një fshat të Suharekës është shënuar një rast i tillë.

Nga plumbat e armëve që u shkrepën nga gëzimi, pësuan lëndime të lehta tri gra të shtëpisë.

Në Policinë e Kosovës janë raportuar vetëm dhjetë raste të gjuajtjeve me armë zjarri dhe numri i personave të lënduar gjatë këtyre incidenteve është gjithsej nëntë.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, në muajt qershor dhe korrik të këtij viti janë raportuar 10 raste të gjuajtjeve me armë zjarri në dasma dhe ahengje.

“Fatmirësisht sivjet kemi një situatë më të mirë dhe Policia e Kosovës, qoftë përmes masave preventive qoftë përmes operacioneve policore ka pasur disa raste që ka intervenuar dhe vetëm këta dy muaj kemi të raportuara respektivisht. Policia ka intervenuar në 10 raste të ndryshme nëpër dasma apo ahengje të ndryshme”,- tha Hoxha.

Nga këto dhjetë raste të regjistruara janë lënduar nëntë persona, ndërsa në këto operacione janë arrestuar 14 persona dhe janë konfiskuar 58 municione dhe 17 armë të llojeve të ndryshme.

“Bazuar në informacionet zyrtare që i kemi gjatë kësaj periudhe rreth 2 mujore, pra në këto 10 intervenime kemi pasur 9 incidente të shënuara. Policia e Kosovës ka konfiskuar 58 municione, 17 armë të llojeve të ndryshme, gjithashtu personat e lënduar gjatë këtyre incidenteve kanë qenë 9, ndërsa në këto operacione nga policia janë arrestuar 14 persona të dyshuar për armëmbajtje pa leje apo përdorim të kundërligjshëm të armëve nëpër këto dasma apo ahengje”,- tha Hoxha.

Dukuria e gjuajtjeve me armë zjarri nëpër ahengje familjare ndodh pothuajse në të gjithë rajonet e Kosovës, mirëpo sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, në rajonin e Prishtinës janë raportuar rastet më të shpeshta për shtënie me armë.

Arsyen e gjuajtjes me armë në momente gëzimi e shpjegon sociologu Ferdi Kamberi.

Ai tha se afektin dhe traditën i sheh si faktorë të cilët i shtyjnë njerëzit që të gjuajnë me armë gjatë ahengjeve të ndryshme familjare. Sipas tij, si pasojë e këtyre traditave një gëzim familjar lehtë mund të shndërrohet në një tragjedi familjare.

“Dasma është një ceremoni në vete, është një element i kurorëzimit që në fakt ndërlidhet ngushtë me martesën dhe familjen e cila nga sociologët konsiderohet si agjent i parë i socializmit, mirëpo për shkak të së drejtës zakonore në sistemin patriarkal por edhe elementeve ose faktorëve të tjerë. Pra njerëzit gjuajnë nëpër dasma kur dihet që pasojat nga këto krisma mund të jenë të mëdha. Ndër faktorët pa dyshim është edhe afekti. Gjatë dasmave duke mos i marrë parasysh pasojat cilat mund të jenë, njerëzit nga gëzimi për shembull që e kanë martuar vajzën ose djalin do me thanë gjuajnë nëpër dasma dhe mund të ketë viktima si rezultat i këtij afekti, së dyti mund të prishet  një ceremoni gëzimi dhe një ceremoni të shndërrohet në tragjedi”,- tha Kamberi, raporton “Telegrafi”.

Ndryshe Policia e Kosovës, me qëllim të reduktimit të përdorimit të armëve të zjarrit ka apeluar tek të gjithë qytetarët e Kosovës që qytetarët që t’i shmangen përdorimit të kundërligjshëm të armëve të zjarrit për arsye se armët paraqesin rrezik potencial.

Policia po ashtu njofton se të gjithë ata të cilët në mënyrë të kundërligjshme përdorin armët apo bartin ato në mënyrë të paligjshme, pa autorizim, ndaj tyre do të ndërmerrën të gjitha masat e nevojshme ligjore për kompletim dhe procedim të këtyre rasteve tek organet kompetente të drejtësisë.

Komento
Shperndaje