Serbia kërkon të “kolonizojë” Kosovën

Qeveria e Serbisë ka planifikuar të zhvendosë në Kosovë mbi 20 mijë serbë nëpërmjet një projekti për ndërtimin e vendbanimeve të reja, në veri dhe jug të Kosovës.
Plani i zyrës në qeverinë serbe, sipas zëvendësdrejtorit të zyrës për Kosovën, Dushan Kozarev, parashikon ndërtimin e 10 deri 15 vendbanimeve të reja, në të cilat do të vendosen mbi 20 mijë shtetas serbë. Një vendbanim i tillë ka nisur në Zveçan, pranë lagjes “Kroi i Vitakut”. Sipas Kozarevit, mënyra e deritanishme e kthimit të serbëve në territoret e Kosovës nuk ka arritur efektet që prisnin.
“Plani ynë është që në të ardhmen të organizohet kthimi përmes ndërtimit të vendbanimeve, ndërsa e para do të jetë “Lugina e diellit”, që do të ndërtohet në Zveçan, në veri të Kosovës. Do të ndërtojmë vendbanime në të gjithë Kosovën. Kjo duhet të zbatohet edhe në 15 vende të tjera në Kosovë”, – ka thënë Kozarev.