Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Rritja e çmimit të siguracioneve, AMF: Tarifat të liberalizuara, përcaktohen nga shoqëritë e sigurimit

Rritja e çmimit të siguracioneve, AMF: Tarifat të liberalizuara, përcaktohen nga shoqëritë e sigurimit
August 26
17:01 2016

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka reaguar lidhur me rritjen e çmimit me rreth 25% të siguracioneve për makinat. Përmes një njoftimi për shtyp të publikuar në faqen zyrtare të saj, shpjegohet se tarifat e sigurimit të makinave janë sipas legjislacionit në fuqi.

AMF shprehet se tarifat e sigurimit janë të liberalizuara, duke i dhënë të drejtën shoqërive të sigurimit që t’i përcaktojnë vetë sipas kushteve të tregut. Ajo shpjegon se në këtë përcaktim merren parasysh faktorët: ndryshimi i primit të rrezikut, shpenzimet e ndërmarra për pagesën e dëmeve, fitimi i shoqërisë, shpenzimet operative të shoqërisë, aspektet fiskale.

“Sqarojmë se primet e rrezikut të përcaktuara nga AMF janë orientuese për tregun e sigurimit dhe tarifat e primit të sigurimit të aplikuara për shitje mund të ndryshojnë ndjeshëm nga këto. Për AMF si autoritet mbikëqyrës e rregullator, situatë e rrezikshme do të konsiderohej nëse çmimi do të binte nën nivelin e primeve të rrezikut si rezultat i konkurrencës duke rritur ndjeshëm ekspozimin e tyre ndaj risqeve, shoqëruar kjo me humbje teknike. Synimi i AMF është mbrojtja e konsumatorit kryesisht nëpërmjet monitorimit të shoqërive të sigurimit që ato të respektojnë angazhimet dhe përgjegjësitë që kanë ndaj konsumatorëve”, citohet në reagimin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare teksa thekson më tej se nuk ka kompetencë të ndërhyjë në politikat e tarifimit të shoqërive të sigurimit pavarësisht sistemit nonus-malus. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje