Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Rrëzohet avioni ukrainas në Iran, mbi 170 pasagjerë humbin jetën

Rrëzohet avioni ukrainas në Iran, mbi 170 pasagjerë humbin jetën
January 08
10:23 2020

Një avion Boeing 737 i linjës “Ukrainian Airlines”, me 176 pasagjerë dhe staf në bord, është përplasur menjëherë pas nisjes nga kryqyteti i Iranit, Tehran, orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure. Raportohet nga autoritetet iraniane dhe ukrainase se të gjithë ata që ndodheshin në avion fatkeqësisht kanë humbur jetën.

Të dhënat nga “FlightRadar 24” tregojnë se aksidenti ajror ndodhi vetëm 2 minuta pasi avioni u ngrit nga aeroporti ndërkombëtar “Imam Khomeini”. Viktimat e këtij aksidenti të rëndë janë me shtetësi të ndryshme. Bëhet fjalë për 82 shtetas iranianë, 63 kanadezë, 11 ukrainas, 10 suedezë, 4 persona nga Afganistani, 3 gjermanë dhe 3 shtetas britanikë. Këto të dhëna janë konfirmuar nga Ministri i Jashtëm i Ukraniës, Vadym Prystaiko në një deklaratë zyrtare.

Ndërkohë menjëherë pas ngjarjes së rëndë ka nisur hetimi nga “Autoriteti Civil i Aviacionit” në Iran dhe një sasi të dhënash është mbledhur e po vlerësohet. Ajo që dihet deri më tani, është se mundësia e një sulmi të mundshëm terrorist është eleminuar, të paktën sipas deklaratës zyrtare nga Ambasada e Ukrainës në Tehran, e cila bën gjithashtu me dije se aksidenti me shumë gjasë është shkaktuar nga një problem i motorit të avionit.

Ky aksident ajror me 176 viktima është i fundit nga një seri ngjarjesh të ngjashme që kanë ndodhur në Iran vitet e fundit, përfshirë këtu përplasjen e një avioni në vitin 2018 në jug të vendit, e cila solli vdekjen e 65 personave në bord.

Këto janë pamjet e para që vijnë nga vendi i ngjarjes:

/Blitz.al/

Burimi: CNN

Share