Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Rrëfehet i kthyeri nga Siria: U zhgënjeva nga luftimet aty. Shqiptarët nuk kishin pozitë

Rrëfehet i kthyeri nga Siria: U zhgënjeva nga luftimet aty. Shqiptarët nuk kishin pozitë
September 28
09:45 2016

Një shqiptar nga Kosova, i cili vendosi të kthehet nga Siria, ka treguar për “Zërin e Amerikës” atë çka pa, dëgjoi dhe përjetoi gjatë tre muajve qëndrim në Siri. I identifikuar si Nori, i cili nuk është emri i tij i vërtetë, ai tregon zhgënjimin që pësoi kur u përball me jetesën në Siri.

Në rrëfimin e tij, Nori tregon se ajo çka e shtyu për t’iu bashkuar luftimeve të opozitës siriane ishte deri diku besimi, pasi nuk e lidh gjë tjetër me Sirinë. Nuk është njësoj me një shtet europian. Ai shprehet se sikurse OSBE-ja dhe KFOR-i erdhën në Kosovë për të ndihmuar, edhe ai mendoi të kryente një vepër humane.

Teksa qëndronte në kampin e drejtuar nga opozita siriane, ai rrëfen se në muajt e parë të qëndrimit pa se gjërat nuk ishin ashtu siç i kishte menduar, ndaj kishte shqyrtuar kthimin në shtëpi. Por në kampin ku qëndronte i kishin thënë se duhet të kalojnë minimalisht tre muaj përpara se të mendojë kthimin.

Më tej, Nori flet dhe për pozitën e shqiptarëve në Siri, që sipas tij nuk kishin pozitë, nuk kishin emra të caktuar, ishin ende në formim e sipër. “Për sa kam qëndruar aty kam parë fëmijë shqiptarë dhe ndoshta kanë qenë gra pa burra, se ta zëmë ishte vrarë ndonjë më herët. Edhe i pyeta se pse nuk i dërgonin në Kosovë ose në Shqipëri, te familjet e tyre, se të paktën ata mund të kujdesen më mirë. Kanë qenë të ndrojtur dhe nuk kanë pasur mundësi të kthehen fëmijët dhe më ka mbetur në mendje. Kur të gjithë sirianët largoheshin, gratë dhe fëmijët shqiptarë qëndronin aty. Kjo më ka mbetur në zemër si dhimbje”, – tregon ai.

Pas kthimit në Kosovë, ai u arrestua e më pas u lirua. Teksa pret vendimin e gjykatës, Nori ka nisur të shkojë në punë pas përpjekjeve për riintegrim.

Nga viti 2012 e deri sot, 314 shqiptarë të Kosovës, ndër ta 44 gra dhe 28 fëmijë, kanë shkuar në Siri. Referuar autoriteteve, 110 prej tyre janë kthyer në Kosovë të zhgënjyer. /Blitz.al/

Komento
Etiketimet
Shperndaje