Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Robert Ndrenika mbush 75 vjet! Ja urimi emocional i mikut të tij…

Robert Ndrenika mbush 75 vjet! Ja urimi emocional i mikut të tij…
January 10
12:47 2017

Regjisori Pëllumb Kulla ka uruar mikun e tij, aktorin e mirënjohur Robert Ndrenika, me rastin e ditëlindjes së tij të 75-të. Kulla e cilëson Ndrenikën si një njeri të ndritur, që skenës së teatrit dhe ekranit i vijnë shumë rrallë.

Ja postimi i tij i plotë:

“ROBERT NDRENIKA SHËNON SOT 75!
Edhe ju më të rinjtë do të vinit te 75-at!
Berti i dashur, ta uroj këtë ditë të shënuar! Ti, i shtrenjti Bert, meriton që sot, veç e veç, tok e tok, shtëpi më shtëpi, studio më studio, auditor më auditor, njerëzit të trokasin gotat me mendjen te vitet e tua gjurmëlënëse në skenat dhe ekranet e shqiptarëve.
Me ty, o shoku im i klasës dhe i shkollës, o miku im i vjetër, kemi kaluar bashkë një pjesë të mirë të këtyre viteve. Kemi biseduar dhe kemi qarë halle, jemi tallur e kemi ngacmuar njëri-tjetrin, por kurrë unë nuk jam ndalur e nuk të kam thënë atë që do të të them pikërisht sot. Atë që ti, i dashuri im, je një artist i madh, nga ata të ndriturit, nga ata që skenës dhe ekranit i vijnë rrallë, shumë rrallë. Ti je nga ajo racë aktorësh që të zbukurojnë jetën dhe që i japin pavdekshmëri teatrit, asaj loje magjepsëse ku njerëzit qeshin e qajnë për ca realitete të sajuara bukur. Ti, Bert, je nga ata aktorë të paktë që janë mjeshtër në ndërtimin e figurave komike dhe po aq mbresëlënës me karakteret dramatike.
Ti ke bërë aq shumë sa njerëzve kur u flitet për teatrin, mendja u shkon vetëm tek artistë si ti.
Paç jetë të gjatë mes familjarëve të tu, mes miqve të tu dhe u shtoftë edhe më tej magjia e artit tënd!”,- përfundon postimi i tij në Facebook.  /Blitz.al/

kulla

Shperndaje