Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Rikualifikimi i sheshit “Skënderbej”, 527 milionë lekë

Rikualifikimi i sheshit “Skënderbej”, 527 milionë lekë
August 30
15:13 2016

Këto ditë do të nisin  punimet për rikualifikimin urban të sheshit “Skënderbej”. Në mes të muajit gusht u mbyll tenderi për realizimin e kësaj ndërhyrjeje, ku mes 3 kompanive që merrnin pjesë u shpall fituese firma “Fusha” SHPK.

“Vetëm një muaj pas nënshkrimit të miratimit të ofertës, kontraktori duhet t’i dorëzojë kontraktuesit kryesor planin e plotë të punës për të gjitha punimet, që do t’i paraqitet për shqyrtim bordit drejtues e më pas të nisë realizimin e tyre”, – thuhet në librin e specifikimeve teknike të tenderit.

Projekti parashikon shndërrimin e sheshit “Skënderbej” në pedonale. Sipërfaqja e ngurtë, prej 40 mijë m2, do të shtrohet me gurë natyralë me trashësi 10-12 centimetra, që do të merren nga të gjitha krahinat shqiptare.

Në hapësirat e gjelbra do të ketë shumëllojshmëri bimësh, ndërsa vaditja e tyre do të bëhet me ujë shiu, që do të grumbullohet në rezervuar me kapacitet 2 mijë m³. Për ndriçimin e godinave publike rreth sheshit do të përdoren panele diellore. I gjithë projekti është parashikuar të zbatohet në harkun kohor të 12 muajve. Në hapësirën pedonale të sheshit do të ketë 11 lulishte të veçanta.

Rehabilitimi i sheshit “Skënderbej” është financim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Kompania fituese do ta realizojë atë në vlerën e rreth 527,5 milionë lekëve, ndërkohë që fondi limit i tenderit ishte rreth 533,4 milionë lekë./Blitz.al/

Shperndaje