Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Rikthehen legjendat e Barcelonës dhe Realit të Madridit, shkëlqen Ronaldinho

Rikthehen legjendat e Barcelonës dhe Realit të Madridit, shkëlqen Ronaldinho
April 29
12:04 2017

Legjendat e Realit të Madridit dhe Barcelonës janë përballur në një ndeshje klasike ditën e premte.

Ronaldinho, Nicolas Anelka apo Roberto Carlos ishin ndër lojtarët që u futën në fushë për të mrekulluar edhe njëherë tjetër me magjinë e tyre.

Ndeshja u luajt në stadiumin “Camille Chamoun Sports City” në Liban.

Edhe njëherë tjetër, legjendat e Barcelonës triumfuan me rezultatin 3-2, duke rikthyer mirazhin e rezultatit të pak ditëve më parë të fitores së katalanasve në “Bernabeu” me të njëjtat shifra.

Barcelona përfaqësohej në këtë ndeshje nga emra të tillë si Zambrota, Coco, Abidal, Davids e padyshim Ronaldinho, që është edhe në rolin e ambasadorit të klubit katalanas, ndërsa për legjendat e Realit të Madridit në fushë ishin Roberto Carlos, Morientes, Karembeu dhe Savio.

Ai që mori të gjithë vëmendjen e kësaj supersfide ishte pikërisht Ronaldinho që tregoi edhe njëherë magjinë e tij duke dhënë 3 pasime fantastike në këtë fitore të legjendave të Barcelonës. Giuly shënoi 2 herë për Barcelonën, golin e parë dhe të tretë, ndërkohë që shënoi emrin e tij mes shënuesve edhe Simao. Reali i Madridit nga ana e tij u kundërpërgjigj me Fernando Sanz dhe Javi Guerrero.

Kjo është hera e dytë që lojtarë të një profili kaq të lartë shkojnë për të luajtur në Liban. Vitin e kaluar, Paul Scholes, Luis Figo dhe Carles Puyol luajtën në një ndeshje “All Stars” në Liban.

Legjendat e Barcelonës do të kthehen në fushat e lojës më 30 qershor për të luajtur një sfidë me ata të Manchester United në stadiumin “Camp Nou”.  /Blitz.al/


Komento
Shperndaje