Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Reforma në drejtësi, Rama: S’ka amnisti për ata që i kanë shpëtuar drejtësisë

Reforma në drejtësi, Rama: S’ka amnisti për ata që i kanë shpëtuar drejtësisë
May 09
11:07 2016

Me rastin e Ditës së Europës, Ministria e Integrimit Europian ka zhvilluar një aktivitet, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama. Ai uroi që reforma në drejtësi të votohet sot dhe që Shqipëria të nisë negociatat për të hyrë më pas në BE. Në kuadër të reformës, kryeministri theksoi se nuk do të ketë amnisti për askënd që i ka shpëtuar drejtësisë.

“Nuk do të ketë absolutisht amnisti për askënd që në gjithë këto vite i ka shpëtuar drejtësisë. Nuk do të lejohet asnjë përjashtim dhe nuk besoj se do jetë e vështirë të kemi konvergjencë të plotë. Jemi më pranë se asnjëherë më parë BE-së. Nismë që nis këtu dhe vazhdon në Shkodër, ku do të çelim muzeun. BE punon me valë të gjata, jemi mësuar me këtë, ajo që është e rëndësishme është mos mërzitemi e llastohemi, siç llastohen disa francezë, ca holandezë, e ca anglezë që kanë lindur në një Europë me paqen dhe kujtojnë se ka qenë kështu. Kjo është periudha më e gjatë e paqes. BE është një krijesë që meriton shumë kritika por është krijesa më e paimagjinuar nga njeriu. Jemi të lumtur që jemi në mes të Europës dhe që kemi si horizont BE-në”, u shpreh kryeministri Rama.

Nga ana tjetër, Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, tha nëse reforma nuk miratohet, vendi ynë rrezikon të humbasë trenin që mundëson integrimin në Bashkimin Europian. Ajo theksoi se nevojitet të punohet edhe për të përmbushur 5 prioritetet kyçe me qëllim që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së.