Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Reforma në drejtësi, Rama: Ftesa për PD mbetet e hapur. Basha: Dakord për dialog pa kushte

Reforma në drejtësi, Rama: Ftesa për PD mbetet e hapur. Basha: Dakord për dialog pa kushte
May 26
22:55 2016

Në një prononcim për “Top Story”, kryeministri Rama ka folur rreth ftesës së bërë kundërshtarit politik Lulzim Basha për dialog, me qëllim arritjen e miratimit të reformës në drejtësi. Sa i takon refuzimit të ftesave të tij, ai tha se kjo nuk është diçka e re, por në traditën e Partisë Demokratike, megjithatë ftesa mbetet e hapur ndërkohë që koha vrapon.

Kreu i kabinetit qeverisës shprehu bindjen se reforma në drejtësi do të miratohet. “Besoj se do mund t’ia dalim. Kemi dhënë pëlqimin dhe jemi gati për ta miratuar draftin. PD synon në thelb që të mbrojë të paprekura privilegjet e sistemit, por kjo nuk është e mundur.”, u shpreh ndër të tjera ai.

Sa i takon miratimit të reformës në drejtësi, dy ndër të ftuarit në “Top Story”, Mustafa Nano dhe Mero Baze shprehën mendimin se miratimi i kësaj reforme është më tepër në dëm të opozitës, ndaj kjo e fundit nuk e do miratimin e draftit. “Nga kjo reformë Berisha humbet shumë, PS fiton diçka, por jo sistemin në tërësi.”, u shpreh Nano.

I pyetur për miratimin e kësaj reforme, kreu i opozitës Lulzim Basha, deklaroi se PD ka kontribuar në sjelljen e reformës me standard, pasi nuk filloi me standard.

“Hipokrizi tu thuash shqiptarëve se me miratimin e reformës në drejtësi do të hapen rrugët drejt Bashkimit Europian. Nuk kanë për tu hapur negociatat pa zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, pa luftuar krimin dhe korrupsionin. Kush pretendon të kundërt, është duke gënjyer me karamele.”, u shpreh ai.

Lidhur me ftesën  e Ramës, përgjigja e kreut të opozitës ishte pozitive me kushtin që të jetë pa kushte. “Nëse maxhoranca ka vullnet që të bëjë atë që i kërkon Venecia, atë që i kërkon faktori ndërkombëtar, dialog mes palëve për të zgjidhur këto çështje të fundit që kanë mbetur pa zgjidhur, atëherë janë të mirësepritur në një dialog politik të një format, që ta zgjedhin vetë.”