Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Reforma në drejtësi, Gjosha: Partitë s’mund të mbajnë peng integrimin

Reforma në drejtësi, Gjosha: Partitë s’mund të mbajnë peng integrimin
March 29
16:44 2016

Një ditë pëpara vizitës së eurokomisionerit Johannes Hahn, ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, bëri të ditur ndër të tjera për “News 24” se Hahn do të diskutojë me palët politike mundësinë e arritjes së një konsensusi politik lidhur me reformën në drejtësi.

“Takimi do të zhvillohet me dyer të mbyllura, ndërsa në fokus do të jenë 5 prioritetet. Do të diskutohet për sukseset e arritura që nga progres-raporti, ndërsa fokusi do të jetë te reforma në drejtësi. Mungesa e dialogut politik shkakton një sërë problematikash, qytetarët presin shumë më të madhen reformë, që është ajo në drejtësi. Nuk ka të bëjë vetëm me procesin e integrimit, por do të kthejë besimin e qytetarëve te drejtësia. Të sjellë sa më shumë investime të huaja, të hapen vende të reja pune. Do të bisedohet për dialogun e munguar dhe gjetjen e një konsensusi për këtë reformë”, – është shprehur ajo.

Lidhur me procesin e integrimit, ministrja tha se janë bërë hapa përpara, por procesi është ende në vijim. Ajo vuri në dukje se prej reformës në drejtësi varen çështja e korrupsionit dhe ajo e krimit të organizuar. E pyetur se cila do të ishte koha e përshtatshme për hapjen e negociatave me BE-në, ministrja tha:

“E gjithë vëmendja është e fokusuar te reforma në drejtësi. Me kryerjen e saj do të ketë edhe një raport nga KE, nëse do të jetë pozitiv do të ketë një rekomandim të mundshëm për të hapur dritën jeshile për ecurinë e këtij procesi. Procesi është shumë teknik për sa i përket lidhjes me KE-në, por bëhet politik kur vendoset përballë ministrave të vendeve anëtare”.